
Administratori i kompanisë publike “Eco-Elb”, Leli Kaja, është arrestuar pasditen e kësaj të hëne në Elbasan. Arrestimi vjen pas një hetimi të gjatë, i cili u intensifikua pas zjarreve të përsëritura në malin e mbetjeve pranë inceneratorit, ndërsa më 21 korrik 2025 policia dhe prokuroria kontrolluan 14 banesa dhe zyra.
Mes tyre ishte edhe banesa e Kajës, ndërsa hetuesit sekuestruan dokumente dhe pajisje në kërkim të provave mbi mënyrën e administrimit të mbetjeve dhe marrëdhëniet financiare mes “Eco-Elb” dhe bashkive të qarkut.
Hetimi u zgjerua më pas edhe mbi dyshime për shpërdorim detyre. Zjarri masiv i 1 korrikut 2025, që mbuloi për ditë të tëra zonën me tym, solli një tjetër procedim për “ndotje të ajrit” dhe “shpërdorim detyre”, i cili iu bashkua hetimit ekzistues.
Pikërisht Kaja ishte zyrtari që, pas zjarrit të korrikut, ia atribuoi flakët temperaturave të larta dhe përjashtoi neglizhencën në administrimin e landfillit. “Eco-Elb”, sipas tij, ishte i hapur ndaj një hetimi të plotë. Ndërkohë, matjet e pavarura të Co-PLAN evidentuan përqendrime të larta të ndotësve të ajrit dhe rrezik për shëndetin publik.
Por zjarri nxori në sipërfaqe një problem shumë më të madh se vetë flakët: inceneratori që duhej t’i zhdukte mbeturinat e Elbasanit prej kohësh nuk ishte në gjendje ta bënte këtë punë.
“Eco-Elb” e administron zonën e trajtimit të mbetjeve që prej vitit 2021, pasi asetet e ish-kompanisë koncesionare “Albtek Energy” u sekuestruan dhe impianti kaloi nën administrim publik. Dokumentet e vetë kompanisë tregojnë se gjatë vitit 2022 inceneratori punoi vetëm 24 ditë dhe prodhoi 75.9 MWh energji elektrike, ndërsa gjatë vitit 2023 nuk prodhoi energji për shkak të problemeve me sistemin turbinë-gjenerator.
Më herët, vetë Kaja pranonte se defektet kishin çuar në fikjen e detyruar të impiantit dhe se sasia e mbetjeve të patrajtuara kishte tejkaluar kapacitetin e landfillit.
-
Rama i qan hallin të vdekurve të Elbasanit, pasi helmoi të gjallët
11 Korrik, 11:54
Situata u bë aq problematike sa në maj 2025 Këshilli Bashkiak i Elbasanit rriti tarifën e depozitimit të mbetjeve nga 2,500 në 2,600 lekë për ton. Kryebashkiaku Gledian Llatja pranoi në atë kohë se rritja lidhej vetëm me landfillimin dhe jo me incenerimin, pasi impianti ishte në remont dhe nuk funksiononte.
Pak muaj më vonë, edhe alibia e “remontit” dukej se nuk mjaftonte më. Kaja paralajmëroi në Këshillin Bashkiak se në landfill hynin mbi 150 tonë mbetje çdo ditë dhe se situata nuk mund të menaxhohej më me kapacitetet ekzistuese. Sasia e plehrave kishte shembur skarpatat anësore dhe, sipas tij, Elbasanit i duhej një landfill i ri.
Kur punimet nisën në vitin 2015, Edi Rama e paraqiste inceneratorin si fundin e një katastrofe mjedisore që kishte zgjatur prej dekadash.
“Ky tumor i madh i një kanceri që prej 20 e kusur vitesh stërmundon organizmin e të gjithë zonës së Elbasanit […] është sot në fazën e një operacioni rrënjësor shërues”, deklaronte Rama.
Gjithsesi sot për Elbasanin, bilanci është i dukshëm: impianti prej 26 milionë eurosh që u promovua si “operacioni rrënjësor” kundër ndotjes nuk e zhduku malin e plehrave. Qyteti kërkon një landfill të ri, ndërsa njeriu që administronte të vjetrin përfundoi në pranga.

