Flash

Paqja e të fortëve: Pse dhuna rikthehet përherë në politikën shqiptare

Neritan Sejamini 15 October 2026

Paqja e të fortëve: Pse dhuna rikthehet përherë në

Pas çdo proteste që përfundon me gurë, gaz lotsjellës dhe të arrestuar, në Tiranë dëgjohen dy refrene. I pari: dhuna është e papranueshme. I dyti: kush e organizoi?

Janë reagime të kuptueshme, por asnjëra nuk prek çështjen thelbësore: pse dhuna rikthehet gjithmonë në politikën shqiptare?

Për t’iu përgjigjur, duhet pranuar një fakt i pakëndshëm: dhuna nuk është përjashtimi në historinë e njerëzimit, është gjendja e zakonshme.

Paqja është ajo që kërkon shpjegim.

Kjo është ideja qendrore e një prej teorive më të fuqishme të ekonomisë politike, të hedhur fillimisht nga nobelisti Dagllas North dhe kolegë të tij.

Në vështrimin e tyre, çdo shoqëri duhet të zgjidhë një problem themelor përpara çdo problemi tjetër: si ta mbajë nën kontroll dhunën mes njerëzve dhe mes grupeve që kanë mundësi ta ushtrojnë atë.

Mënyra si shoqëritë e zgjidhin këtë problem përcakton gjithçka tjetër: si do të jetë politika, si do të jetë ekonomia, kush do të fuqizohet dhe kush do të largohet nga kjo shoqëri.

Marrëveshja e të fortëve
Në pjesën më të madhe të historisë, shoqëritë e kanë zgjidhur këtë problem në të njëjtën mënyrë, të thjeshtë:

Ata që kanë mundësi të ushtrojnë dhunë — udhëheqësit ushtarakë, politikë e fetarë, pronarët e tokave dhe tregtarët e mëdhenj — bëjnë pakt për të mos sulmuar njëri-tjetrin; në këmbim, ndajnë mes tyre pushtetin politik dhe ekonomik: tokën, tregjet, postet shtetërore, privilegjet e tjera.

Sa më e madhe pjesa që merr secili nga pakti, aq më e fortë arsyeja për ta ruajtur paqen.

Dhe që përfitimet të jenë të mëdha dhe të garantuara, pakti ka një kusht jetik: dyert e pushtetit ekonomik dhe politik duhet të mbahen të mbyllura. Nëse ekonomia dhe politika hapen dhe kushdo mund të konkurrojë, fitimet e garantuara të elitës zhduken, dhe me to edhe arsyeja për të mos luftuar.

Prandaj aksesi kufizohet. Hyn vetëm ai që lejohet.

North dhe kolegët e tij e quajnë këtë rend me akses të kufizuar.

Shumica e shoqërive në histori kanë qenë të tilla, dhe shumica e vendeve të botës janë ende sot.

Ekziston edhe një mënyrë tjetër, shumë më e re në histori dhe shumë më e rrallë: rendi me akses të hapur.

Në të, dhuna nuk kontrollohet duke blerë besnikërinë e të fortëve, por duke ua hequr armët të gjithëve dhe duke ia dhënë të drejtën e dhunës vetëm shtetit. Shteti duhet të bazohet në ligje që vlejnë njësoj për të gjithë, si për elitën, ashtu edhe për qytetarin e thjeshtë.

Në këtë sistem, dyert e politikës dhe të ekonomisë janë të hapura: kushdo mund të krijojë një biznes, një parti, një media, një organizatë, dhe të konkurrojë ndershmërisht me të tjerët. Konkurrenca, jo favoret apo privilegji, përcakton kush fiton në treg dhe në politikë.

Të tilla janë demokracitë e përparuara perëndimore, rreht 30 shtete në të gjithë botën.

Zogu: si u ble paqja
Për ta ilustruar këtë shpjegim, mjafton të kujtojmë dymbëdhjetë vitet e para të shtetit shqiptar.

Nga Pavarësia deri në fund të vitit 1924, Shqipëria ishte një vend ku dhuna nuk kishte zot. Princ Vidi iku pas gjashtë muajsh dhe vendi u shkel nga një mori ushtrish të huaja gjatë Luftës së Parë.

Pas Kongresit të Lushnjës më 1920, qeveritë binin njëra pas tjetrës, brenda pak muajsh, madje brenda një dite. Krerët e veriut, bejlerët e jugut, luftëtarët e Kosovës, klerikët dhe oficerët kishin secili njerëzit e tyre me armë në dorë dhe asnjë arsye për t’i dorëzuar ato.

Vetëm brenda një viti, më 1924, Zogu u qëllua në parlament, Avni Rustemi u vra në mes të Tiranës, Revolucioni i Qershorit rrëzoi qeverinë, dhe në dhjetor Zogu u kthye me armë, me ndihmën e Beogradit dhe të mercenarëve rusë, për të rrëzuar Fan Nolin.

Vetë ekzistenca e shtetit u vu në pikëpyetje.

Ajo që bëri Zogu pas kësaj është një mësim i pastër i konsolidimit të rendit me akses të kufizuar.

Ai nuk e mposhti dhunën. E bleu.

Krerët e maleve, që deri dje kishin qenë burim i pafund kryengritjesh, u futën në listat e pagave të shtetit si oficerë rezervë. Bejlerët e mëdhenj morën garancinë se toka e tyre nuk do të prekej: reforma agrare u shpall, por mbeti në letër.

Oficerët morën grada e prona, xhandarmëria mori instruktorë britanikë. Shteti mori para nga Italia, në këmbim të pasurive të vendit, për t’i paguar të gjitha këto. Popullsia u çarmatos.

Kush e pranoi këtë pakt, u bë pjesë e tij dhe përfitoi. Kush nuk e pranoi, u shtyp. Bajram Curri, Luigj Gurakuqi e Hasan Prishtina u vranë; kryengritjet e Dukagjinit dhe të Fierit u shtypën me forcë.

Partitë politike praktikisht u zhdukën, zgjedhjet u kthyen në formalitet, parlamenti u bë shërbëtor i mbretit. Shtypi u censurua dhe u subvencionua.

Dhe funksionoi. Për katërmbëdhjetë vjet, Shqipëria pati një rend që nuk e kishte njohur kurrë më parë. Shteti u konsolidua, rrugët u bënë më të sigurta, republika u bë mbretëri.

Por kjo paqe kishte një dobësi fatale.

Ajo mbështetej te besnikëria e atyre që paguheshin, jo te qytetarët, të cilët nuk kishin asgjë për të mbrojtur.

Më 7 prill 1939, kur zbarkuan italianët, rendi i Zogut u shemb brenda pak ditësh. Fuqia që e kishte financuar vendosi ta prishte paktin dhe të impononte me dhunë një rend të ri. Një pjesë e elitës që e kishte mbajtur në këmbë rendin e vjetër u përshtat me të riun.

Shqipëria sot: rend i kufizuar me fasadë të hapur
Shqipëria e sotme ka kushtetutë, zgjedhje, gjykata, parlament, media private, shoqëri civile. Nga jashtë, të gjitha format e një rendi me akses të hapur janë aty, por ato nuk i shërbejnë një rendi të hapur.

Një elitë e ngushtë politike, ekonomike dhe mediatike ka thuajse monopol mbi burimet ekonomike dhe politike të vendit.

Në politikë, karriera nuk varet nga votuesit, por nga kryetari i partisë. Hyrja dhe fuqizimi i partive të reja në tregun politik është thuajse i pamundur, ndaj tyre ka barriera të mëdha, që nga vetë sistemi zgjedhor.

Shumica e burimeve ekonomike të vendit kontrollohen nga një grusht oligarkësh, fitimet e të cilëve nuk vijnë nga konkurrenca, por nga favoret e pushtetit: nga koncesionet, lejet e ndërtimit, favoret fiskale, lejimi i monopoleve.

Në shumicën e sektorëve ekonomikë nuk hyn dot askush në treg, për shkak të barrierave që kjo elitë ekonomike ka krijuar me ndihmën e shtetit. Prandaj ekonomia në një rend të tillë mbetet prapa: thelbi i saj nuk është sipërmarrja krijuese, por ajo grabitqare.

Mediat kontrollohen nga pak familje apo grupe biznesi që jetojnë me kontrata, leje dhe favore shtetërore, ndaj i shërbejnë elitës politike dhe rrethit të tyre të biznesit.

Kur në një shoqëri me rend të kufizuar shfaqen aktorë të rinj me kapacitet dhune, pakti i elitës përfshin edhe ata si e vetmja mënyrë për të ruajtur kontrollin mbi dhunën që mund të shkaktojnë. Kjo ka ndodhur dekadën e fundit me krimin e organizuar: ai është përfshirë në ndarjen e burimeve ekonomike, veçanërisht përmes pastrimit të parave, me kusht që të mos ushtrojë dhunë.

Për trembëdhjetë vjet, ky pakt i elitës politike e ekonomike dhe së fundmi edhe kriminale ka mbetur i qëndrueshëm.

Kur dera mbetet e mbyllur
Dhuna e këtyre ditëve tregon se “marrëveshja e të fortëve” nuk garanton dot në afatgjatë paqen sociale.

Protesta e studentëve erdhi pas mbi katër muajsh të “Revolucionit të Flamingos”: një protestë paqësore e dhjetëra mijëra qytetarëve që në thelb kërkoi ndalimin e grabitjes së vendit nga elitat. Askush nuk i dëgjoi.

Pas kësaj shpërfilljeje, studentët e ngritur kundër rrënimit të universiteteve kaluan shpejt në dhunë, kryesisht ndaj ndërtesave qeveritare.

Shpjegimi i dhunës si veprim ekstremistësh është i mangët. Ekonomia politike ka një përgjigje më të pakëndshme.

Në një rend me akses të kufizuar, dhuna nuk zhduket kurrë. Ajo thjesht vihet në gjumë nga marrëveshja mes elitave. Dhe mund të zgjohet kur ata që janë lënë jashtë kësaj marrëveshjeje nuk gjejnë më rrugë institucionale për t’u dëgjuar.

Ata që vuajnë nga mungesa e aksesit kanë dy rrugë: ose ngrenë zërin, ose largohen.

Për shumë shqiptarë deri tani, zgjidhja ka qenë ikja. Shqipëria ka humbur mbi gjysmë milioni banorë që nga viti 2013.

Për ta thënë me fjalët e një teorie tjetër të ekonomisë politike, të Albert Hirschmanit, deri tani dalja (ikja) ka qenë me më pak kosto se zëri (protesta) kundër mundësive të mbyllura.

Por dalja e vret zërin. Të parët që ikin janë shpesh ata që do të mund të protestonin më fort. Ata që dolën në rrugët e Tiranës këto ditë janë pikërisht ata që nuk kanë ikur ende.

Kur dyert e mundësive janë të mbyllura dhe zëri nuk dëgjohet, për ata për të cilët ikja nuk është ende zgjidhje, rruga mbetet e vetmja derë e hapur.

Dhuna e këtyre ditëve është shenja e parë se pakti i elitës ekzistuese nuk garanton dot më paqen si më parë.

Kjo nuk do të thotë se gurët e hedhur në rrugë do të hapin dyer. Përkundrazi, ata mund t’i japin elitës justifikimin për t’i mbyllur edhe më fort.

Paqja e blerë
Rendi i Zogut zgjati katërmbëdhjetë vjet. Rendi që ndërtoi Enver Hoxha zgjati gati gjysmë shekulli dhe nisi të shembej brenda pak ditësh, në dhjetor 1990.

Në 1997, shteti dhe rendi u shembën brenda pak javësh.

Çdo herë, paqja dukej e përjetshme, deri ditën që nuk ishte më.

Ky është mësimi që elita shqiptare refuzon ta mësojë. Paqja që blihet duke ndarë pasurinë e vendit mes një pakice nuk është paqe. Është armëpushim me afat. Zgjat për sa kohë ka mjaftueshëm për të ndarë, dhe për sa kohë ata që janë jashtë pranojnë të heshtin ose të ikin.

Policia mund ta shpërndajë një protestë. Por nuk mund të shuajë arsyen pse ajo ndodhi.

Gazi lotsjellës mjafton për një natë. Për një javë. Por jo për kontrolluar një brez të tërë për gjatë.

E vetmja mënyrë që njerëzimi ka gjetur për ta mbajtur dhunën larg në mënyrë të qëndrueshme nuk është as blerja e elitave, as shtypja e njerëzve.

Është fundi i marrëveshjes së të fortëve dhe hapja e dyerve: ligje që vlejnë njësoj për të gjithë, tregje ku fiton më i miri dhe jo më i lidhuri, parti ku ngjitesh me vota dhe jo me bekimin e udhëheqësit.

Kryeministri Rama, dhe bashkë me të e gjithë elita që ushqehet nga ky rend, ka ende kohë të zgjedhë. Mund ta mbajë derën të mbyllur dhe të shpresojë që gazi lotsjellës do të mjaftojë.

Ose mund ta hapë, para se dikush tjetër ta shembë./ Exit.al

Të këshilluara

Populli dhe banda me uniformë

Një grup pesë-gjashtë burrash, ndonjëherë më shumë, i afrohen një personi. Ai është i paarmatosur, zakonisht i...

12:12 Neritan Sejamini

Nga aleatë të SHBA-së në të pandehur/ Pse Uashingtoni e mbështeti Gjykatën Speciale për Kosovën

Uashingtoni ndërtoi një marrëdhënie të ngushtë me udhëheqjen e UÇK-së në Kosovë, duke bërë që shumë prej figurave të saj të besonin se mbështetja politike amerikane do t’i mbronte në fund nga Dhomat e Specializuara. Por në botën e realpolitikës, miqësitë ndërkombëtare rrallë janë pa kushte, pasi kur interesat strategjike ndryshojnë, partneri i domosdoshëm i së djeshmes mund të bëhet i pandehuri i sotëm.

22:59 Fron Nahzi

Historia veç me tri shkronja

Atje, në Hagë, pritet vendimi gjyqësor për katër Çlirimtarët. Këtu, në Shqipëri, një popull i tër...

13:09 Mirjon Brahimllari

E respektoj Izraelin, por Labërinë e dua më shumë

Shpesh Shqipëria bëhet shesh beteje për një ndërtesë dhe, në fund, përfundojmë duke debatuar për historinë. Debati i sotëm per godinen ku eshte themeluar Klubi Laberia është njëri prej tyre. 

16:32 Auron Tare

Është krizë përfaqësimi jo informimi

Deputetët socialistë takohen me qytetarin vetëm kur ia kërkon Rama, sepse atë përfaqësojnë dhe atij i binden. Ndaj takimi i tyre me qytetarët nuk bëhet për të qarë hallin qytetar, por për të zgjidhur hallin e Ramës me pakënaqësinë e qytetare

19:59 Blendi Kajsiu

ide

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

91.28

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI