Flash

Nga protesta me fëmijë përdore tek maskat dhe gurët

Një shpjegim për dilemën se pse lëvizja më e bukur dhe paqësore e para katër muajve mori një kthesë radikale

Andi Bushati 14 October 2026

Manifestimet e forta të dy ditëve të fundit, që të kujtojnë një miniaturë të ngjarjeve të vitit ‘97, përbëjnë një kthesë të beftë të protestës të nisur pranverën që shkoi. Në fillimet e revolucionit të flamingove, manifestuesit u shfaqën me sllogane inteligjente, me marshime paqësore dhe me një festë në bulevard, gjatë së cilës merrnin përdore edhe fëmijët. 

Ata besonin që duke i treguar qeverisë se nuk ishin dakord me mënyrën e saj të vendimarrjes, ajo do të reagonte pozitivisht. Një pjesë e tyre, qytetarë dhe ndoshta me nerv jo të kalitur të politik, shpresonin se gardhi me tela me gjëmba mbi një plazh të mrekullueshëm dhe tërheqja zvarrë e Eduart Subashit, që nuk e donte zaptimin e tij, ishin vepër e disa privatëve kokëkrisur. Në mendjet e tyre ndoshta përkundej ende iluzioni se jetonin në një vend demokratik, ku qindra mijra protestues në shesh kanë forcën ta bëjnë pushtetin të ndryshojë mendje.

Por, fytyra e banditëve pa uniformë të Zvërnecit, nuk ka ndonjë ndryshim nga ajo e policëve që u përleshën me Klevi Metajn, njeriun simbol të zemërimit përpara ministrisë së arsimit. Midis këtyre dy episodeve kanë ndodhur disa gjëra që i kanë detyruar manifestuesit paqësorë të kthehen në protestues të dhunshëm, të ndërrojë flamingot me maskat, lulet me gurët, të lëshojnë nga duart fëmijët për të kapur molotovët.

Në të parën tentativë serioze për të analizuar atë që po ndodhte, pasi i kishte quajtur njerëzit që kishin dalë në shesh kundër tij si viktima të një konspiracioni global, Edi Rama foli për empathi, dëgjim, dialog dhe besë. Por menjëherë sapo i shqiptoi këto fjalë, ai tha se nuk tërhiqej nga premtimi që i ka dhënë Kushnerit dhe Artur Shehut për vazhdimin e projektit në Zvërnec.

Në krahun tjetër, ndërkohë që publiku numëronte ditët se kur ajo do përfundonte në burg, pushteti i Belinda Ballukut rritej dhe e pandehuara shtrinte tentakulat e saj mbi më shumë institucione.

Po në të njëjtën kohë shefja e shërbimit inteligjent, Vlora Hyseni, në vend që të bënte punën, ndihmonte në arrati mikun e verërave të shtrenjta të shefit të qeverisë, që ti shpëtonte SPAK-ut.

Nga ana tjetër, Erion Veliaj rrëmbete nga qelia kompetencat që i ishin zbehur në drejtimin e bashkisë, duke rikthyer në krye të Tiranës ata njerëz që kishin pasur pushtet në kulmin e sistemit 5D.

Ndonëse fliste për dialog dhe prani besnike rilindja i injoroi dhe mbështetësit e saj, edhe kur ata u detyruan të bëjnë gjestin më të rëndë për një socialist, të djegë teserën e partisë për të kundërshtuar ndarjen teritoriale. 

Pa pyetur për sensibilitetin ndaj mjedisit që qëndronte në gjenezë të lëvizjes se Flamingove, Edi Rama nënshkroi me një vendim arbitrar të tij, një tjetër kullë në Parkun Rinia. 

Madje sikur të gjitha këto bashkë të mos të mjaftonin ai prezantoi një ndryshim total të Kodit të Procedurës Penale, që nga një pjesë e madhe e publikut u perceptua si një mbrojtje për veten dhe të burgosurit e deritanishëm por dhe për ata që do të vidhnin në emër të tij në të ardhmen.

Pra, zninxhiri i ngjarjeve që pasuan njëra-tjetrën këto katër muaj shuajti çdo shpresë apo iluzion se ky regjim ka një aftësi minimale për të dëgjuar apo reflektuar. Edhe ata që donin të besonin e kuptuan shpejt se rilindja nuk ka më forcë të shkëputet nga banditizmi dhe hajdutëria, që janë në themel të fuqisë të saj. Paradoksi i pushtetit të Ramës është se po u zbut, ai tkurret; se po u bë i dëgjueshëm, ai abandonohet; se po tentoi të përmirësohet ai shkërmoqet; pra se po deshi të demokratizohet, ai azgjesohet.    

Një pjesë e kundërshtarëve të tij e dinin këtë. Prandaj që në vitet 2017 -2018 ata predikonin se nuk mund të ketë rugëzgjidhje paqësore, me sistemin e kriminalizuar që kishte ngritur Edi Rama. Por flagmingot qenë mosbesues edhe ndaj tyre. Ata krijuan një distancë higjenike me opozitën e vjetër dhe pushtetarët e djeshëm. Ata i qëndruan larg kritikëve tradicionalë të këtij regjimi. Ata donin të bënin, të pandikuar, eksperiencën e tyre duke rivënë bastin për zgjedhjen e rrugës së kadifenjtë.

U dëshën këto katër muaj që edhe një pjesë e tyre të mbërrinin në të njëjtin përfundim se me instagram, parrulla inteligjente, lule dhe fëmijë për dore, kjo autokraci mund të delegjitimohet realisht, por se një gjë e tillë nuk e pengon aspak të thellohet në krim. Eshtë pikërisht ky konkluzion, i nxjerrë prej fundit të majit deri në këtë tetor, që i detyroi studentët që të vishnin maskat e të rrëmbenin gurët dhe molotovët. Qe radha e tyre që të kuptonin se ndaj kësaj bande të dhunshme, paqja nuk është obsion.

LAPSI.AL

Të këshilluara

Populli dhe banda me uniformë

Një grup pesë-gjashtë burrash, ndonjëherë më shumë, i afrohen një personi. Ai është i paarmatosur, zakonisht i...

12:12 Neritan Sejamini

Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Qoftë zarat e partisë së vet që i hedhin vickla, qoftë qytetarët që e fishkëllejnë në rrugë, qoftë prokurorët e trimëruar të SPAK që janë afuar në oborrin e tij apo gazetarët ndërkombëtarë që e barabisin me kumbarin tregojnë një gjë, se kurba politike e Edi Ramës ka prekur fundin. Rrëfimi i propagandës së tij tashmë ka mbaruar.

16:19 Andi Bushati

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

Një histori korruptimi jo dashurimi

Fakti që zyrtare të larta të shtetit tonë adhurojnë uritha të tillë si Agasi është dëshmi e korruptimit dhe jo e sensibilitetit romantik. Nivelet e larta të shtetit duhet të shërbejnë si busulla morale dhe parimore për qytetarin e thjeshtë, dhe jo të degradojnë nën nivelin moral të popullatës.  Pikërisht kjo është ajo që na trondit në rastin e zonjës Hyseni. Busulla e saj morale dhe parimore ishte nën nivelin e qytetar

11:09 Blendi Kajsiu

Rënia e Vlorës në shtratin e krimit

Vlora nuk është as dardhë e as pjeshkë që dikush e ha pas shpinës së kryeminstrit. Ajo është ilustrimi më eklatant se si vetë Edi Rama i ka vënë institucionet e vendit në shërbim të pushtetit të tij, që në thelb është pushteti i krimit

14:48 Armand Shkullaku

Haga, si përfundim i një epoke të gjatë yes man-izmi

Nga drama e 16 shtatorit, që po rekemi ta konsumojmë si popujt primitivë me lotë, mallkime, ofshama dhe qurravitje duhet të dimë të nxjerrim një mësim: Këtej e tutje askush nuk do të na rrespektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten. Sepse verdikti i asaj gjykate të instrumentalizuar erdhi si pasojë e servilizmit tonë të verbër ndaj perëndimit

16:25 Andi Bushati

Gënjeshtra e rezorteve elitare

Në Sazan edhe në Zvërnec qeveria po financon komplekse luksoze banimi që do pasurojnë ndërtues lokal dhe ndërkombëtarë, herë duke i hequr taksat, herë duke i çuar infrastrukturë dhe herë duke privatizuar tokën dhe plazhet publike

13:55 Blendi Kajsiu

ide

MOTI TIRANA

14°c

KËMBIMI EURO

91.29

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI