
Vinicius Junior është pezulluar për 4 ndeshje pas kartonit të kuq të drejtpërdrejtë, për gjestin e çmendur, tërheqjen e flokëve të Nathan Saliba, si dhe protestat ndaj arbitrit në ndeshjen kundër Villarreal. Një dënim i rëndë, të cilin gjyqtari sportiv spanjoll e ka arsyetuar duke vënë theksin te sjellja e futbollistit në ato momente tensioni: “Bërtiste me sa kishte në kokë dhe kishte qëndrim agresiv, ndërsa mbahej nga shokët e skuadrës”. Kjo është pjesa e komunikatës që i referohet asaj që arbitri kishte shënuar në raportin e tij. Kjo e rëndoi më shumë pozitën e lojtarit, i cili shmangu një dënim edhe më të ashpër, pasi u largua nga fusha nga Rudiger dhe Valverde.
Braziliani do të humbasë El Clasicon e 25 tetorit kundër Barcelonës, por jo vetëm atë, pasi pezullimi është mjaftueshëm i gjatë për ta lënë jashtë edhe ndeshjeve kundër Sevilla (18 tetor), Racing Santander dhe Valencias, pas derbit me katalanasit. Dënimi i dhënë ndaj Vinicius bazohet në dy nene: 121 dhe 127 të Kodit Disiplinor të RFEF-së. I pari përcakton: “Loja e dhunshme konsiderohet e tillë kur veprimi ndodh pa mundësi për të luajtur topin; kjo sjell një pezullim nga dy deri në tri ndeshje. Për më tepër, nëse episodi ndodh kur loja është e ndalur, dënimi do të jetë të paktën dy ndeshje”. Fjalia e fundit shpjegon një pjesë të vendimit.

Dy ndeshjet e tjera të pezullimit burojnë nga rrethanat dhe nga ajo që ndodhi pak më pas, kur lojtari humbi kontrollin. Në këtë pikë, raporti zyrtar bëri diferencën. Kjo është arsyeja pse ai e pagoi shtrenjtë mungesën e dukshme të respektit ndaj arbitrit, e cila konfirmohet edhe nga pamjet filmike. “Sa i përket sjelljes pas përjashtimit, ky Komitet vlerëson se ngjarjet e përshkruara në seksionin ‘Episodet e tjera’ të raportit të arbitrit përbëjnë një sjellje të veçantë dhe të ndarë nga ajo që çoi në përjashtim. Pamjet tregojnë qartë se, pasi u përjashtua, ai protestoi kundër vendimit të arbitrit, duke iu afruar këtij të fundit në mënyrë agresive dhe duke qenë i nevojshëm ndërhyrja e shokëve të skuadrës për ta mbajtur. Bazuar në sa më sipër, konsiderohet e përshtatshme vendosja e një sanksioni prej dy ndeshjesh pezullim, në zbatim të nenit 127 të Kodit Disiplinor, minimumi i parashikuar nga neni në fjalë”. Real Madrid ka njoftuar se do të paraqesë ankimim, por vështirë se do të arrijë të sigurojë një ulje të konsiderueshme të dënimit, duke pasur parasysh atë që përcaktohet në vendim.