
Machine Gun Kelly ka reaguar ndaj një postimi viral në rrjetet sociale, i cili pretendonte se reperi ishte penduar për ndarjen nga ish-e fejuara e tij, aktorja Megan Fox.
Postimi, i shpërndarë në platformën X të hënën, më 12 tetor, përmbante disa fotografi të fundit të Fox, si dhe një mesazh të rremë që i atribuohej reperit, emri i vërtetë i të cilit është Colson Baker.
Në mesazhin e sajuar pretendohej se reperi ndihej keq kur shihte fotografitë e reja të ish-partneres dhe se pendohej që kishte humbur një grua si ajo.
“Kisha gruan më të bukur në planet dhe, në njëfarë mënyre, arrita t’i shkatërroja të gjitha”, thuhej në postimin e rremë.
Mesazhi vijonte duke pretenduar se reperi nuk do ta falte kurrë veten për humbjen e asaj që e cilësonte si “vajzën e ëndrrave të tij”.
Megjithatë, MGK reagoi drejtpërdrejt ndaj publikimit, duke mohuar se mesazhi ishte shkruar prej tij.
“Ai postim është më i rremë se një palë gjoks silikoni”, shkroi reperi, duke hedhur poshtë pretendimet.
Machine Gun Kelly dhe Megan Fox u njohën në vitin 2020, gjatë xhirimeve të filmit Midnight in the Switchgrass. Ata u fejuan në janar të vitit 2022, por marrëdhënia e tyre kaloi disa periudha të vështira, përpara se të ndaheshin përfundimisht në fund të vitit 2024.
Pavarësisht ndarjes, ish-çifti u bë prindër i një vajze, Saga Blade, në mars të vitit 2025. Aktualisht, ata bashkëpunojnë për rritjen e vajzës së tyre.
Nga ana tjetër, së fundmi MGK është përfolur për një lidhje romantike me aktoren Dakota Johnson. Sipas raportimeve të mediave të huaja, dyshja është afruar pas dasmës së Taylor Swift dhe Travis Kelce, ku thuhet se janë njohur më nga afër.