
Sean “Diddy” Combs është dërguar në spital pasi ka pësuar një dëmtim në kokë gjatë qëndrimit në burgun federal Fort Dix, në New Jersey.
Sipas një burimi të cituar nga Page Six, reperi 56-vjeçar është përplasur aksidentalisht me krevatin marinari që ndodhej sipër tij. Burimi bëri të ditur gjithashtu se gjendja e tij është përmirësuar.
Lajmi vjen pasi mediat raportuan se Diddy u transportua me ambulancë drejt një qendre mjekësore në orët e para të mëngjesit të së shtunës, pas një urgjence shëndetësore.
Sipas raportimeve, dëmtimi nuk ishte kërcënues për jetën dhe reperi ishte i vetëdijshëm dhe në gjendje të fliste pas incidentit.
Përfaqësuesi i tij deklaroi se ekipi po përpiqet të konfirmojë rrethanat e ngjarjes, duke theksuar se shëndeti dhe mirëqenia e Diddy-t janë përparësia kryesore.
Ndërkohë, reperi po vuan një dënim prej 50 muajsh burg, pasi u shpall fajtor për dy akuza që lidhen me transportimin e personave për qëllime prostitucioni. Ai ka mohuar vazhdimisht akuzat për shkelje të tjera.
Kohët e fundit, Diddy ka qenë sërish në qendër të vëmendjes pas raportimeve për trajtim të privilegjuar në burg dhe shkelje të rregullave gjatë vuajtjes së dënimit. Data e parashikuar e lirimit të tij është shtyrë më 2 mars 2028.