Flash

Pse protesta qytetare po e lë anash Sali Berishën

PD, që nuk diti apo nuk qe në gjendje të lexonte shenjat e shëmbjes së regjimit, mbeti e kapur gafil për të patur një vendimmarrje të qartë politike

Armand Shkullaku 14 October 2026

Sali Berisha, i cili i mbijetoi heroikisht një prej goditjeve më të rënda në historinë e tij politike, nuk ia doli megjithatë ta pozicionojë partinë e tij në sinkron me aspiratat e qytetarëve shqiptarë. Sot, kur mijëra të rinj ndeshen e gjakosen rrugëve të Tiranës me policinë e regjimit, distanca mes forcës kryesore opozitare dhe revoltës qytetare duket edhe më kilometrike.

Katër- pesë muajt e fundit dëshmuan paaftësinë dhe pafuqinë e Partisë Demokratike për t’u orientuar në një situatë të re politike, atë të përballjes direkt të regjimit me qytetarët e shtypur deri dje. I kompleksuar fillimisht nga emri i dhëndërrit të Trump e më pas nga thirrjet e dhjetëra mijëra njerëzve “Rama në burg, Berisha në burg”, lideri historik i PD, e për rrjedhojë edhe ata pas tij, nuk arritën në asnjë çast të vetëm të gjenin vendin e tyre në Shqipërinë e re që po projektohet. 

PD, që nuk diti apo nuk qe në gjendje të lexonte shenjat e shëmbjes së regjimit, mbeti e kapur gafil për të patur një vendimmarrje të qartë politike. Në një anë përkrah protestën dhe në anën tjetër bëhet gati për zgjedhje lokale kur pika numër një e revoltës popullore është “nuk ka zgjedhje me Ramën kryeministër”. Merr pjesë normalisht në komisione parlamentare dhe bën thirrje për aksione radikale në seanca plenare, të cilat përfundojnë pastaj vetëm tek Gazmend Bardhi, Flamur Noka, Bledion Nallbati, Klevis Balliu e ndonjë invid tjetër. Dënon e denoncon dhunën dhe abuzimet por nuk thotë se çfarë rruge do të ndjekë: do të dalë edhe ajo në shesh apo do vijojë të futet në Kuvend nga dyert e pasme të godinës.

Sigurisht që situata inkandeshente, si këto të muajve të fundit, nuk i shpëtonin kurrë nga kapitalizimi një veterani si Sali Berisha. Mirëpo, Partia Demokratike ka mbetur e mbyllur në salla e konferenca, në ripërtëritje e përshpirtje, ndërkohë që situata e krijuar kërkon absolutisht tjetër gjë. Ndoshta mosha dhe plagët e betejës së gjatë të rikthimit, ia kanë zbehur Berishës instiktin e “grabitqarit” që dikur përndizej edhe kur shihte 100 vetë të grumbulluar bashkë. Ndoshta pamundësia për të rivendosur autoritetin e plotë mbi një parti ku një pjesë e madhe e quajnë të kryer misionin e tyre me mbështetjen që i dhanë për rikthimin, ia bën të pamundur një vendimmarrje që më pas do t’i mbetej rrugëve. Por pse jo dhe një lloj hezitimi për ndonjë shpërthim të pakontrolluar, që ka shumë gjasë të prodhojë rebelimi qytetar, e që do ta nxirrte nga skena e ardhshme politike, është një arsye që shpjegon sjelljen rrotull vetes për katër muaj të Sali Berishës.

Kontrasti mes përplasjes së studentëve me policinë e regjimit dhe sallat e “ripërtëritjes” së Partisë Demokratike, tregon në fakt se dalja nga skena tashmë ka nisur. Në Shqipëri mund të ndodhë ajo që po ndodh këto ditë në Serbi, ku opozita tradicionale thuajse s’ka më asnjë peshë politike dhe Lista Studentore u prin sondazheve elektorale kundrejt partisë së Vuçiç. Zakonisht shembja e regjimeve kaq të gjata pasohet me një shkundje të të gjithë sistemit politik. PD duhet të kuptojë se nuk mund të vazhdojnë me të njëjtën strategji 15 vjeçare, ndërkohë që historia mund të ndryshojë në 15 ditë. 

Pa diskutim që rikthimi i Sali Berishës, beteja e tij epike për të mbajtur gjallë opozitën e vërtetë, janë kontributi më i madh që ruajti fibrën e rezistencës në Shqipëri, pa të cilën nuk do të kishim përballjen e sotme me regjimin. Por nëse Sali Berisha beson se është ende në kohë për të ripozicionuar partinë e tij, vendimi i parë do të ishte ai se s’mund të ketë as zgjedhje as lokale e as ndërkombëtare pa dhënë dorëheqjen Edi Rama. Se veprimi dhe strategjia e vetme e opozitës është sinkronizimi me protestën qytetare. Pikat që kanë kërkuar protestuesit, që nga largimi i Ramës, përgatitja e zgjedhjeve të parakoshme nga një qeveri kujdestare, ndryshimi i kodit zgjedhor, etj, do duhet të kthehen në programin e PD. Se sa e vërtetë do të ishte PD në këtë rrugë, kjo do të varej nga aftësia për të fituar besimin e qytetarëve, por, qoftë edhe duke parashikuar dështimin, kjo është rruga e vetme që i ka mbetur.

Reforma territoriale apo kandidatët për kryetarë bashkish nuk janë sot axhenda e Shqipërisë. Sali Berisha nuk mund të flasë për narko- diktaturë dhe të veprojë si në demokraci funksionale. Përballë dhunës shtetërore, kokave të përplasura në asfalt, këmbëve të thyera e grushtave në fytyrë, zgjidhja nuk është ripërtëritja e një partie por shpërthimi i një shoqërie. PD duhet të vendosë se ku dhe me kë do të jetë. ©lapsi.al

Të këshilluara

Populli dhe banda me uniformë

Një grup pesë-gjashtë burrash, ndonjëherë më shumë, i afrohen një personi. Ai është i paarmatosur, zakonisht i...

12:12 Neritan Sejamini

Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Qoftë zarat e partisë së vet që i hedhin vickla, qoftë qytetarët që e fishkëllejnë në rrugë, qoftë prokurorët e trimëruar të SPAK që janë afuar në oborrin e tij apo gazetarët ndërkombëtarë që e barabisin me kumbarin tregojnë një gjë, se kurba politike e Edi Ramës ka prekur fundin. Rrëfimi i propagandës së tij tashmë ka mbaruar.

16:19 Andi Bushati

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

Një histori korruptimi jo dashurimi

Fakti që zyrtare të larta të shtetit tonë adhurojnë uritha të tillë si Agasi është dëshmi e korruptimit dhe jo e sensibilitetit romantik. Nivelet e larta të shtetit duhet të shërbejnë si busulla morale dhe parimore për qytetarin e thjeshtë, dhe jo të degradojnë nën nivelin moral të popullatës.  Pikërisht kjo është ajo që na trondit në rastin e zonjës Hyseni. Busulla e saj morale dhe parimore ishte nën nivelin e qytetar

11:09 Blendi Kajsiu

Rënia e Vlorës në shtratin e krimit

Vlora nuk është as dardhë e as pjeshkë që dikush e ha pas shpinës së kryeminstrit. Ajo është ilustrimi më eklatant se si vetë Edi Rama i ka vënë institucionet e vendit në shërbim të pushtetit të tij, që në thelb është pushteti i krimit

14:48 Armand Shkullaku

Haga, si përfundim i një epoke të gjatë yes man-izmi

Nga drama e 16 shtatorit, që po rekemi ta konsumojmë si popujt primitivë me lotë, mallkime, ofshama dhe qurravitje duhet të dimë të nxjerrim një mësim: Këtej e tutje askush nuk do të na rrespektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten. Sepse verdikti i asaj gjykate të instrumentalizuar erdhi si pasojë e servilizmit tonë të verbër ndaj perëndimit

16:25 Andi Bushati

Gënjeshtra e rezorteve elitare

Në Sazan edhe në Zvërnec qeveria po financon komplekse luksoze banimi që do pasurojnë ndërtues lokal dhe ndërkombëtarë, herë duke i hequr taksat, herë duke i çuar infrastrukturë dhe herë duke privatizuar tokën dhe plazhet publike

13:55 Blendi Kajsiu

Po tani, a duhet të dorëhiqet Veliaj?

Deri më tani për ta nxjerë Lalin nga burgu u përdor alibia e mos dëmtimit të interesit të qytetarëve dhe punëve të Tiranës. Këtej e tutje, pasi mirë apo keq, Gjykata e Lartë vendosi të lërë edhe për një kohë relativisht të gjatë të izoluar, duhet të jesh i pafytyrë që të mbrosh idenë se ai mund të mbetet kryebashkiak edhe në dëm të këtij interesi

12:27 Andi Bushati

ide

Populli dhe banda me uniformë

Një grup pesë-gjashtë burrash, ndonjëherë më shumë, i afrohen një personi. Ai është i paarmatosur, zakonisht i...

12:12 Neritan Sejamini

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

91.29

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI