
Përdorimi i plumbave të gomës nga Policia e Shtetit gjatë protestës së sotme në Tiranë ngre pikëpyetje mbi respektimin e standardeve evropiane për të drejtën e tubimit dhe mbrojtjen e integritetit fizik të qytetarëve. A është në dijeni Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë i standardeve të përcaktuara nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut?
Një referencë e rëndësishme është vendimi i Dhomës së Madhe të GJEDNJ-së në çështjen Tsaava dhe të tjerët kundër Gjeorgjisë, i datës 11 dhjetor 2025, që shqyrtoi përdorimin e tepruar dhe pa dallim të armëve me predha goditëse gjatë protestave në Tbilisi.
Sipas standardeve të trajtuara nga Gjykata, përdorimi i predhave kinetike duhet të jetë masë e fundit, vetëm përballë një kërcënimi real dhe të menjëhershëm ndaj jetës ose integritetit fizik. Ato nuk duhet të përdoren për shpërndarjen e përgjithshme të turmës, por vetëm ndaj individëve të caktuar, duke shmangur zonat e kokës, fytyrës dhe qafës. Përdorimi duhet të rregullohet nga protokolle të qarta dhe, kur është e mundur, të paraprihet nga paralajmërimi.
Në këtë kontekst, përdorimi i plumbave të gomës në Tiranë kërkon transparencë dhe sqarime nga autoritetet: në çfarë rrethanash u përdorën, çfarë kërcënimi synonin të neutralizonin dhe nëse u respektuan kriteret e domosdoshmërisë, proporcionalitetit dhe dallimit të objektivave.
Pyetja mbetet e hapur edhe për Delegacionin e BE-së në Tiranë: a do të kërkojë një shpjegim mbi përdorimin e këtyre mjeteve dhe respektimin e standardeve evropiane për të drejtat e njeriut gjatë protestave në Shqipëri?