
Mijëra të rinj shqiptarë u mblodhën të shtunën para Ministrisë së Arsimit, në qendër të Tiranës, në ditën e pestë të një lëvizjeje studentore që po merr hov, kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Protesta u përshkallëzua në dhunë kur një grup të rinjsh të maskuar hodhën gurë drejt policisë, e cila u kundërpërgjigj me granata trullosëse, gaz lotsjellës dhe topa uji.
Protesta e sotme u thirr si tubim gjithëpërfshirës kombëtar, ku përveç studentëve dhe gjimnazistëve, pritej të merrnin pjesë edhe qytetarë dhe përfaqësues të ndryshëm nga diaspora. Protestat kundër korrupsionit dhe mungesës së vendeve të punës kanë nisur të përhapen në mbarë Shqipërinë, por Rama i ka hedhur poshtë thirrjet për dorëheqje.
Sipas të dhënave të policisë, deri më tani janë ndaluar 500 protestues, 330 prej të cilëve janë liruar. Rreth 120 policë dhe 45 protestues janë regjistruar si të lënduar, ndonëse ka të ngjarë që shumë raste të lëndimeve të protestuesve të mos jenë regjistruar.
Cilat janë kërkesat e protestuesve?
Studentët thonë se protestojnë kundër kostove të larta të arsimit dhe korrupsionit qeveritar, ndërsa kërkesë kryesore kanë dorëheqjen e qeverisë së udhëhequr nga Edi Rama. Atyre u janë bashkuar edhe nxënës të shkollave të mesme. Mësimi është bojkotuar në universitete në Tiranë dhe në disa qytete të tjera, si dhe në disa gjimnaze të kryeqytetit.
Ata thonë se janë të zemëruar edhe për shitjen e zonave të paprekura të bregdetit shqiptar për ndërtimin e një kompleksi turistik luksoz, të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.
Trazirat përbëjnë sfidë për Ramën, i cili fitoi mandatin e katërt vitin e kaluar, duke premtuar se do ta udhëheqë Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai synon që vendi të anëtarësohet në BE që në vitin 2028.
Më herët të premten, Rama bëri thirrje për qetësi dhe fajësoi “duart e huaja” për trazirat e dhunshme disaditore. Ai nuk i identifikoi ato, por tha se po synojnë të pengojnë përpjekjet e vendit të tij për t’u anëtarësuar në BE.
“Këto janë duar të huaja që nuk e duan Shqipërinë të qetë”, tha ai në një video të publikuar në faqen e tij në Facebook. Rama këmbënguli se protestat nuk kanë të bëjnë "fare me hallet, me problemet, me aspiratat legjitime të gjithkujt që dëshiron një jetë më të mirë”.
“E gjithë kjo është po ajo dorë, po ajo dorë që e ka kapur për fyti opozitën shqiptare dhe që e ka djegur dhe shkatërruar jo një herë Shqipërinë, dhe që është gati ta djegë e ta shkatërrojë përsëri, për të mos e lënë të bëjë përpara”, tha ai./ REL