
Një tjetër video tronditëse tregon brutalitetin e forcave të policisë ndaj të rinjve që kanë dalë në protestë kundër qeverisë së Edi Ramës.
Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, një efektiv i FNSH-së shihet teksa godet me shkelma në këmbë një protestues, ndërkohë që kolegët e tij po e tërheqin zvarrë në asfalt. Mënyra e goditjes krijon përshtypjen se polici përpiqet t’i thyejë këmbën të riut, i cili në ato momente ndodhet plotësisht nën kontrollin e forcave të rendit.
Videoja tregon edhe momentet që i paraprijnë kësaj skene. I riu qëndron i vetëm në mes të rrugës, pa shfaqur ndonjë veprim të dhunshëm, kur një grup efektivësh me skafandra, mburoja dhe shkopinj gome vërsulen drejt tij.
Njëri prej policëve e shtyn me forcë dhe e përplas në asfalt. Më pas disa efektivë e rrethojnë, e godasin me shkopinj gome dhe nisin ta tërheqin zvarrë drejt automjetit të policisë.
Pamjet janë dëshmia e radhës e një sjelljeje brutale nga ana e policisë që këto ditë ka shfaqur anën e saj më të errët në shërbim të pushtetit.