Flash

Studentët e lidhur përtokë/ Si i justifikoi policia e Ramës metodat e regjimeve represive

Lapsi.al 16 October 2026

Studentët e lidhur përtokë/ Si i justifikoi policia e Ramës

Pamjet çnjerëzore të studentëve/ Asnjë përgjegjësi për keqtrajtimin nga policia
Pamjet skandaloze që u publikuan të enjten në mbrëmje, ku disa të rinj protestues shfaqeshin të lidhur kafshërisht dhe të shtrirë në dysheme, ndërsa rreth tyre qëndronin disa punonjës policie, u kaluan me një justifikim të rëndomtë nga Policia e Shtetit. Asnjë përgjegjësi dhe asnjë ndëshkim për punonjësit e policisë që kishin pasur idenë t’i shtrinin përtokë të rinjtë, në skena që të kujtojnë metodat e regjimeve më të egra në botë, ku të arrestuarit poshtërohen dhe përdhosen në mënyrat më çnjerëzore.

Pamjet dëshmojnë një trajtim poshtërues, ku personat e neutralizuar mbahen të shtrirë në dysheme, në kushte që vështirë se mund të pajtohen me standardet më elementare të respektimit të dinjitetit njerëzor.

Pavarësisht veprimeve për të cilat mund të dyshohen apo akuzohen, këta persona gëzojnë të drejta që nuk mund t’u mohohen nga uniformat blu. Neutralizimi i një personi që paraqet rrezik është një gjë, ndërsa mënyra se si trajtohet pasi është vënë nën kontroll është krejt tjetër.

“Personat e shfaqur në videon e publikuar në media nuk janë në dhomat e shoqërimit në komisariate apo në dhomat e bllokut të sigurisë, por janë në momentin e parë të neutralizimit në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në një nga institucionet shtetërore ku tentonin të hynin dhe ku po sulmonin punonjësit e Policisë”, thuhet në reagimin zyrtar të Policisë.

Duke sqaruar se të rinjtë e arrestuar nuk ndodheshin në komisariat, drejtuesit e Policisë u përpoqën të justifikonin mënyrën se si ishin trajtuar ata. Por ky shpjegim, në vend që t’i përgjigjet shqetësimit kryesor që ngre videoja që ka të bëjë me keqtrajtimin e të arrestuarve, përqendrohet te vendndodhja e personave.

Problemi nuk ishte se ku ishin të ndaluarit, por se policët kanë shkelur detyrimin për të respektuar dinjitetin njerëzor, që në çastin kur një i arrestuar vihet nën kontrollin e forcave të rendit.

Deri më sot, protesta është menaxhuar në mënyrë skandaloze nga Policia e Shtetit, e cila dhunës së të rinjve protestues i është përgjigjur me dhunë kafshërore, me rrahje në rrugë, rrëmbime që të kujtojnë metodat e milicive të Amerikës Latine dhe sulme me gurë ndaj protestuesve. Sikur të mos mjaftonin këto, kryepolici Skënder Hita ka nxjerrë në rrugë edhe civilë të maskuar me kapuçë, të armatosur me shkopinj, që futen mes turmës për të rrahur dhe rrëmbyer të rinjtë.

Ajo që duhet të kuptojnë drejtuesit e policisë është se asnjë pozicion shtetëror nuk i jep të drejtën ta keqpërdorë policinë si një instrument shtypës ndaj të rinjve protestues. Aq më tepër kur Edi Rama e ka treguar se një nga mënyrat më perverse me të cilat sillet me policët e tij është t’i keqpërdorë në fillim për interesat e pushtetit dhe më pas t’i pështyjë si copat e një limoni të shtrydhur./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

91.32

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Kriza në Shqipëri në shtatë pika

Një zgjidhje do të qe krijimi i kushteve ligjore e politike për zgjedhje të lira e të ndershme vitin e ardhshëm. Që zgjedhjet të prodhojnë dalje nga kriza, duhet të përgatitet një paketë e veçantë garancish zgjedhore që, mes të tjerash, do të kufizonte paraprakisht ndikimin e parasë së paligjshme, keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe pabarazinë në qasjen te media

12:45 Veton Surroi

Me sytë katër

PAPARAZZI