
Komiteti Disiplinor i Dhomës së Avokatisë ka vendosur pezullimin për dy vite të licencës së avokatit Lefter Xhengo, mbrojtësit të Leli Kajës, pasi ky i fundit theu bojkotin e avokatëve dhe mori pjesë në seancën për caktimin e masës së sigurisë në GJKKO. Komiteti Disiplinor ka shqyrtuar gjithashtu rastin e avokatit Mirgen Gjoci, i cili përfaqësoi Gerta Gjocin gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, pavarësisht bojkotit të shpallur nga Dhoma e Avokatisë.
Për këtë të fundit, Komiteti Disiplinor ka vendosur të mos marrë një masë të rëndë, por vetëm vërejtje dhe këshillim.
Sipas raportimit, në vendimmarrje janë marrë në konsideratë arsyet humanitare të pjesëmarrjes së avokatit në seancë, pasi Gerta Gjoci ka një foshnjë katër muajshe. Gjithashtu, avokati Mirgen Gjoci ka lidhje familjare me të dyshuarën, pasi ajo është nusja e vëllait të tij.
Ndërkohë, Lefter Xhengo, avokati i Leli Kajës, është ndëshkuar me pezullimin e licencës për dy vite, pas pjesëmarrjes në seancën gjyqësore në kundërshtim me bojkotin.
Bojkoti i avokatëve është ndërmarrë në shenjë proteste ndaj rregullores së GJKKO-së, të cilën Dhoma e Avokatisë e kundërshton me argumentin se cenon ushtrimin e profesionit dhe të drejtat e mbrojtjes.