
Ben Affleck ka bërë një koment të rrallë për ish-bashkëshorten e tij, Jennifer Lopez, duke shprehur publikisht vlerësimin që ka për të dhe punën e saj si artiste.
Aktori dhe producenti 54-vjeçar u pyet nga Variety pse Lopez shpesh “anashkalohet” kur bëhet fjalë për vlerësimet në Hollywood.
“Jam i njëanshëm. Kam një respekt dhe admirim të jashtëzakonshëm për atë që ajo është e aftë të bëjë”, tha Affleck.
Aktori, i cili ishte producent i filmit të Lopez, “Kiss of the Spider Woman”, foli gjithashtu për mënyrën se si funksionojnë çmimet në industrinë e filmit. Sipas tij, suksesi komercial i një filmi nuk përputhet gjithmonë me atë që ai vetë vlerëson artistikisht.
“Është pjesë e kësaj industrie të çuditshme dhe subjektive, ku njerëzit sjellin shumë nga përvojat dhe bindjet e tyre”, u shpreh ai.
Affleck shtoi se nuk mendon gjithmonë se personi i duhur fiton çmimin e duhur.
“Por në fund të fundit, janë thjesht njerëz që votojnë për çmime filmash”, tha ai.
Gjatë intervistës, Affleck foli edhe për mënyrën se si aktorët e njohur sot duhet të ndërtojnë një markë personale, sidomos përmes rrjeteve sociale. Ai përmendi si Lopez, ashtu edhe ish-bashkëshorten e tij të parë, Jennifer Garner, duke vlerësuar mënyrën se si të dyja kanë ndërtuar identitetin e tyre publik.
“Kam parë Jennifer Lopez dhe Jennifer Garner të bëjnë një punë të jashtëzakonshme duke krijuar dhe rritur vlerën e tyre në këto hapësira”, tha ai.
Affleck shtoi me humor se një punë e tillë nuk është aspak e lehtë dhe se vetë nuk do të dinte çfarë të bënte në rrjetet sociale.
Jennifer Lopez, 57 vjeç, paraqiti kërkesën për divorc nga Affleck në gusht të vitit 2024, pas dy vitesh martesë. Çifti e finalizoi divorcin në janar 2025.
Pavarësisht ndarjes, Affleck dhe Lopez kanë ruajtur një marrëdhënie korrekte dhe janë parë së bashku në disa raste pas divorcit.
Të dy u rikthyen në qendër të vëmendjes edhe në vitin 2025, kur morën pjesë në premierën e filmit “Kiss of the Spider Woman”, ku Affleck ishte pjesë e ekipit të produksionit.