
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, u ka njoftuar presidentëve dhe sekretarëve të përgjithshëm të 55 federatave kombëtare anëtare të UEFA-s, synimin e tij për të kandiduar për një mandat të fundit dhe për të vazhduar të drejtojë organizatën edhe përtej vitit 2027. Gjatë muajve të fundit, federatat i kishin kërkuar unanimisht Ceferinit të rishikonte vendimin e tij të mëparshëm për të mos kandiduar sërish. Ceferin tashmë ka pranuar ta bëjë këtë dhe ka konfirmuar synimin për të kandiduar për rizgjedhje në Kongresin e 51-të të Zakonshëm të UEFA-s, i cili do të zhvillohet në Astana, në Kazakistan, më 22 prill 2027. Në mbështetje të kandidaturës së sllovenit është natyrisht edhe Armand Duka, kreu i FSHF-së dhe zv/president i UEFA-s.
“Dua të falënderoj federatat kombëtare për besimin e tyre. Gjatë viteve të fundit jemi përballur me sfida të jashtëzakonshme dhe i kemi përballuar ato si një skuadër e bashkuar. Ka ende shumë punë të rëndësishme për të çuar përpara dhe për këtë arsye kam pranuar kërkesën e tyre”, janë fjalët e Ceferinit. “Ambicia ime mbetet e njëjtë: ta mbajmë të bashkuar futbollin europian, ta bëjmë sportin tonë më të fortë dhe ta lëmë UEFA-n të gatshme për gjeneratën e ardhshme. Gjithashtu jam thellësisht mirënjohës ndaj familjes sime. Ky vendim kërkon shumë edhe prej tyre dhe nuk do të mund ta kisha marrë pa mirëkuptimin dhe mbështetjen e tyre”.
Takimi në Berlin u përqendrua gjithashtu te e ardhmja e qeverisjes dhe lidershipit të FIFA-s. Pas kërkesës për ndryshime themelore gjatë muajve të fundit, UEFA dhe të gjitha federatat kombëtare, me përjashtim të Federatës së Futbollit të Azerbajxhanit, kanë rënë dakord për një drejtim të qartë për reformën e FIFA-s. Federatat kombëtare përsëritën se kanë humbur besimin te drejtimi aktual i FIFA-s. Reforma institucionale, e vetme, nuk do të jetë e mjaftueshme. FIFA-s i duhet gjithashtu një lidership i ri: një figurë e respektuar dhe e aftë për të bashkuar, e lidhur thellësisht me futbollin, me vizionin dhe përvojën e nevojshme për të drejtuar organizatën, e aftë të gëzojë besimin e të gjitha rajoneve dhe me një angazhim të padiskutueshëm në favor të zhvillimit, reformave, integritetit dhe pavarësisë. Një tjetër takim i 55 federatave kombëtare të UEFA-s do të zhvillohet deri më 17 nëntor 2026.