
NATO po përpiqet të sigurojë Rusinë se një stërvitje e ardhshme bërthamore në Itali nuk përbën arsye për shqetësim, në një kohë kur tensionet mes Aleancës dhe Moskës mbeten të larta.
NATO njoftoi të enjten se 17 vende aleate do të marrin pjesë në stërvitjen e përvitshme “Steadfast Noon”, e cila do të zhvillohet nga 13 deri më 23 tetor. Por këtë vit, stërvitja zhvillohet pas një shkëmbimi të tensionuar letrash mes Moskës dhe NATO-s, pasi aleatët zhvilluan në gusht stërvitje pranë enklavës ruse të Kaliningradit.
“Ne e zhvillojmë këtë çdo vit dhe… ky është gjithashtu një mesazh i qartë për vende si Rusia se nuk ka arsye për t’u shqetësuar”, tha Nassima Barrows, drejtoreshë e politikës bërthamore në NATO. “Kjo është diçka e parashikueshme dhe nuk ka arsye për llogaritje të gabuara.”
“Qëllimi i saj është, në thelb, të stërvitë forcat tona aleate, në mënyrë që të jemi të gatshëm dhe të përgatitur, si dhe të garantojmë sigurinë dhe mbrojtjen e kapaciteteve tona bërthamore”, u tha ajo gazetarëve.
Pas stërvitjeve të mëparshme të NATO-s, Moska i dërgoi një letër Aleancës, në të cilën kërcënonte se do të godiste territorin e vendeve aleate dhe përmendte përdorimin e arsenalit të saj bërthamor një veprim që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e dënoi publikisht javën e kaluar.
Tensionet po rriten ndërsa vendet europiane akuzojnë Rusinë për sabotazh dhe për shtim të të ashtuquajturave sulme hibride në të gjithë kontinentin.
“Synimi ynë është që vërtet t’i mbajmë gjërat të qeta”, tha një zyrtar i lartë i NATO-s, të cilit iu garantua anonimiteti për të folur lirshëm. Zyrtarët rusë “vazhdojnë ta përshkallëzojnë këtë klimë tensioni, ndërsa ne do të vazhdojmë të përpiqemi ta qetësojmë situatën”.
Koloneli amerikan David Bull, drejtues i operacioneve bërthamore të NATO-s, tha se pjesëmarrja në stërvitje është “e ngjashme” me atë të viteve të mëparshme dhe se ajo përfshin gjithçka, nga një “alarm i simuluar deri te një stërvitje reale fluturimi” — por “pa armë bërthamore reale”.
Në stërvitje do të përfshihen gjithashtu avionë me kapacitet të dyfishtë, pra të aftë për të mbajtur si armë konvencionale ashtu edhe bërthamore, si dhe trupa tokësore që do të mbështesin stërvitjen dhe do të trajnohen për ngarkimin, furnizimin me karburant dhe mirëmbajtjen e avionëve, shtoi një zyrtar i lartë ushtarak i NATO-s.
Ambasada e Rusisë në Belgjikë deklaroi se kishte marrë dijeni për njoftimin e NATO-s, por shtoi: “Këto stërvitje, duke pasur parasysh se NATO e konsideron vendin tonë si kërcënimin kryesor për sigurinë, nuk kontribuojnë në uljen e tensioneve në kontinent dhe janë pjesë e politikës bërthamore të Aleancës, ndaj së cilës qëndrimi negativ i Moskës është i mirënjohur.”/Politico.eu