
Antoneta Sevdari është rikthyer në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, pasi u zgjodh këtë të premte anëtare e KLP-së si përfaqësuese e Prokurorisë së Përgjithshme.
Rikthimi i Sevdarit ka një peshë të veçantë, pasi ajo është magjistratja e parë në Shqipëri që u rikthye në sistemin e drejtësisë pas rrëzimit të një vendimi të formës së prerë të organeve të vetingut. Sevdari e fitoi betejën juridike në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, pasi më parë ishte shkarkuar nga sistemi gjatë procesit të rivlerësimit.
Në mbledhjen që po zhvillohet në ambientet e Polit të Drejtësisë pritet të zgjidhen gjithsej tre anëtarë të rinj të KLP-së nga radhët e prokurorëve. Ata do të zëvendësojnë anëtarët të cilëve u përfundon mandati gjatë vitit 2026: Sokol Stojani, përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme, Ledina Riza, përfaqësuese e prokurorive të apelit, dhe Zeqir Hoda, përfaqësues i prokurorive të shkallës së parë.
Ndryshimet në përbërjen e KLP-së vijnë në një moment të rëndësishëm për institucionin, i cili ka në dorë procesin për zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm.
Gara ishte bllokuar prej disa javësh për shkak të një zinxhiri kërkesash për përjashtimin e anëtarëve të KLP-së nga shqyrtimi i kandidaturave. Përplasja nisi me kërkesën e kandidatit Ylli Pjetërnikaj për përjashtimin e anëtarit Vatë Staka dhe vijoi më pas me kërkesa të tjera për përjashtime.
Ngërçi u zhbllokua më 8 tetor, kur KLP rrëzoi me shumicë votash kërkesat për përjashtimin e anëtarëve të Këshillit, duke i hapur rrugë vazhdimit të procedurës.
Në garë për drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme janë pesë kandidatë: Adnan Xholi, prokuror i SPAK; Arta Marku, ish-Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme; Fatjona Memçaj, prokurore në Eurojust; Rovena Zoto, prokurore në Tiranë; dhe Ylli Pjetërnikaj, pedagog dhe prokuror.
Pikërisht në këtë fazë ndryshon edhe përbërja e KLP-së, institucionit që duhet të bëjë vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve përpara zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm.