
Një 24-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se furnizonte me lëndë piroteknike protestuesit gjatë tubimit të tri ditëve të fundit në kryeqytet. Gjatë operacionit të koduar “Fireworks”, policia zbuloi një banesë në rrugën “Jargavani”, ku i riu kishte magazinuar 344 kuti me lëndë piroteknike të llojeve të ndryshme, me vlerë rreth 40 mijë euro.
Sipas Policisë, dyshohej se 24-vjeçari i kishte magazinuar këto lëndë me qëllim përdorimin e tyre për veprimtari të kundërligjshme. Ai dyshohet se ua furnizonte ato personave të maskuar dhe të përfshirë në akte dhune gjatë protestave të ditëve të fundit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.