
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka reaguar kundër akteve të dhunës dhe djegies së institucioneve gjatë protestave, duke theksuar se veprime të tilla nuk mund të konsiderohen protestë paqësore dhe përbëjnë rrezik për jetën e njerëzve.
Përmes një reagimi publik, Ibrahimaj nënvizoi se institucionet shtetërore janë hapësira që u shërbejnë qytetarëve, pavarësisht se kush është në qeverisje. Ajo solli në vëmendje edhe punonjësit që çdo ditë ushtrojnë detyrën në këto ambiente, duke theksuar se siguria e tyre nuk duhet të vihet në rrezik për shkak të akteve të dhunshme.
Ministrja theksoi se asnjë pakënaqësi nuk mund të justifikojë djegien e pronës publike dhe dëmtimin e institucioneve që u përkasin të gjithë qytetarëve dhe që kanë një funksion të rëndësishëm edhe për brezat e ardhshëm.
Reagimi i plotë i ministres Delina Ibrahimaj:
“T’i vësh flakën një institucioni nuk është protestë paqësore. Është një akt që rrezikon jetë njerëzish.
Këto janë zyra që i shërbejnë shtetit dhe qytetarëve, pavarësisht se kush është në qeveri. Janë vende pune ku çdo ditë punojnë njerëz, prindër, të rinj, që kanë familje që i presin në shtëpi.
Asnjë punonjës nuk duhet të rrezikojë jetën në vendin e tij të punës. Asnjë pakënaqësi nuk mund të justifikojë djegien e institucioneve që u përkasin të gjithëve dhe që do t’u shërbejnë edhe brezave të ardhshëm.”