
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar për situatën e krijuar nga protestat në Tiranë, duke dënuar dhunën dhe shkatërrimin e pronës, ndërsa ka bërë thirrje për qetësi, vetëpërmbajtje dhe maturi.
Në reagimin e saj, Koçiu kujton pasojat që ka sjellë kaosi në të kaluarën për Shqipërinë, duke theksuar se sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimi i pronës kanë kosto të rënda për zhvillimin, stabilitetin dhe besimin në vend.
Zëvendëskryeministrja nënvizon se e drejta për të protestuar nuk duhet të kthehet në dhunë, ndërsa institucionet publike, bizneset dhe siguria e qytetarëve duhet të mbrohen.
Më poshtë, reagimi i plotë i Albana Koçiut:
“Shqipëria e ka paguar jashtëzakonisht shtrenjtë faturën e kaosit në të kaluarën, ku në emër të zemërimit dhe revoltës, u sulmuan institucione, u shkatërrua prona dhe vendi u zhyt në një krizë që i kushtoi shumë vite zhvillimi, stabiliteti dhe besimi. Pasojat e atij kaosi e mbajtën vendin peng për dekada, duke lënë plagë që i ndiejmë ende sot.
Pamjet e dhunës, flakëve dhe përplasjeve në Tiranë, na kujtojnë se sa e brishtë është vija që ndan protestën paqësore nga kaosi.
Në këto orë duhet qetësi, vetëpërmbajtje dhe maturi. Institucionet janë pasuri publike, bizneset janë puna e dikujt, rrugët janë të të gjithëve dhe siguria është e drejtë e çdo qytetari.
Shqipëria nuk ka nevojë të digjet për të ndryshuar. Ka nevojë të ndërtojë, të përparojë dhe të mbrojë atë që ka arritur.”