Flash

Rama nxjerr edhe Kumbaron me reagim: Studentët nuk mund ta shkatërrojnë shtëpinë e tyre

Lapsi.al 14 October 2026

Rama nxjerr edhe Kumbaron me reagim: Studentët nuk mund ta

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka reaguar me shqetësim për ngjarjet e dy ditëve të fundit pranë dhe brenda godinës së Ministrisë së Arsimit, duke dënuar aktet e dhunës dhe shkatërrimin e pronës publike. Kumbaro thekson se e drejta për protestë është një e drejtë demokratike që duhet respektuar, por nënvizon se ajo nuk mund të justifikojë përplasjet fizike dhe dëmtimin e institucioneve.

Duke u ndalur te raporti mes protestës studentore dhe akteve të dhunës, ministrja shprehet se këto janë dy gjëra krejt të ndryshme, duke garantuar se institucioni që ajo drejton do të vijojë të jetë i hapur për komunikim me studentët, universitetet, prindërit dhe të gjithë ata që kërkojnë zgjidhje përmes dialogut.

Kumbaro ka bërë të ditur se dhuna ka shkaktuar dëme të rënda në godinën e Ministrisë së Arsimit, ku kati i parë është djegur, duke dëmtuar bazën materiale dhe dokumente, ndërsa ambientet nuk mund të përdoren deri në riparimin e tyre. Megjithatë, ajo siguron se stafi vijon të jetë në krye të detyrës dhe se institucioni do të vazhdojë të përmbushë përgjegjësitë e tij.

Në reagimin e saj, ministrja ka sjellë në vëmendje edhe mbështetjen financiare për studentët, duke theksuar se mbi 12 mijë studentë nga familje në vështirësi ekonomike përfitojnë çdo vit mbështetje financiare, mbi 40 mijë përfitojnë tarifa të reduktuara ose përjashtim nga tarifat e studimit, ndërsa studentët ekselentë dhe ata që ndjekin programe prioritare mbështeten me bursa dhe pagesa mujore.

Në përfundim, Kumbaro u bën thirrje studentëve të mos lejojnë që askush t'i shtyjë drejt akteve të dhunës, duke nënvizuar se e ardhmja ndërtohet përmes dijes, argumentit dhe përgjegjësisë.

Reagimi i plotë i ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro:

Po ndjekim me shumë shqetësim atë që ka ndodhur këto dy ditë rreth e brenda godinës së Ministrisë së Arsimit dhe në institucione të tjera. Pavarësisht se kush proteston dhe për çfarë proteston, është e rëndë të shohësh situata ku përplasja fizike dhe shkatërrimi i pronës zënë vendin e Fjalës, zëvendësojnë argumentin dhe dialogun.

Si një universitare që kam protestuar vetë sa herë e kërkonte nevoja për të përdorur këtë të drejtë demokratike të fituar me sakrifica, kam respektin maksimal për të drejtën e studentëve për të kërkuar gjithmonë e më shumë nga institucionet, ama, protesta qytetare studentore dhe

dhuna ndaj godinave dhe pronës publike;
dhuna ndaj vendit të punës të punonjësve publikë, aq më shumë kundër punonjësve të Arsimit, nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën! Kjo vijë ndarëse duhet të mbetet e qartë për cilindo.
Ministria e Arsimit, ndonëse rëndë e dëmtuar nga dhuna e orëve të fundit, ka qenë dhe do të jetë një derë e hapur për komunikim me universitetet, me studentët, me prindërit dhe me këdo që ndërton dialog, ashtu siç kemi bërë gjithmonë. Shqetësimet i dëgjojmë dhe propozimet i shqyrtojmë bashkë, pa paragjykime dhe pa i kthyer mospajtimet në përplasje. Aktet e sotme të shkatërrimit nuk përfaqësojnë marrëdhënien e Ministrisë së Arsimit me studentët.

Përtej investimeve që janë kryer e do të vijojnë në çdo universitet të vendit,

Janë çdo vit mbi 12 mijë studentë nga familjet në vështirësi që përfitojnë mbështetje financiare për studimet e tyre;
Mbi 40 mijë studentë përfitojnë tarifa të reduktuara ose përjashtim nga tarifat e studimit;
Qindra studentë ekselentë dhe ata që ndjekin programe prioritare për të cilat vendi ka nevojë përfitojnë bursa dhe mbështetje mujore në masën e pagës minimale prej 500 euro!
Jam e bindur se studentët nuk mund ta bëjnë kurrsesi shkatërrimin e institucioneve të tyre dhe të pronës publike e asaj private. Studentët nuk mund ta shkatërrojnë shtëpinë e tyre. Në një institucion ku normalisht mund të hyhet për dialog nga dera, nuk ka nevojë të thyhen xhamat dhe të digjen zyrat.

Pavarësisht se kati i parë i Ministrisë së Arsimit është djegur, duke dëmtuar jo vetëm bazën materiale por edhe dokumente, duke mos qenë i përdorshëm deri sa të riparohet, stafi i Ministrisë së Arsimit është në krye të detyrës dhe Ministria e Arsimit do t’i ketë dyert e hapura si gjithmonë, sepse institucionet krijohen nga njerëzit dhe njerëzit dinë të flasin e të komunikojnë dhe kush më shumë se studentët dhe arsimtarët mund ta bëjnë këtë.

Hekurat që thyejnë xhama nuk zgjidhin asnjë problem, ashtu siç gurët e trotuareve nuk ndërtojnë të ardhmen; atë e ndërtojmë në auditorë, me vizion, me dije, me argumente dhe me përgjegjësi.

Të dashur studentë, kujdesuni për veten dhe mos lejoni që askush t'ju shtyjë drejt akteve të dhunës. Zëri juaj ka vlerë pikërisht kur dëgjohet përmes ideve dhe argumenteve!

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

14°c

KËMBIMI EURO

91.29

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI