
Analisti Fatos Lubonja komentoi mbylljen e hetimeve nga SPAK për çështjen e ish zëvendëskryeministres dhe ish-ministres Belinda Balluku, ndaj së cilës rëndojnë akuzat e shkeljes së barazisë në tendera, korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.
I ftuar në emisionin “Prime News24”, ai iu referua raportimeve për takime të mundshme mes kryeministrit Edi Rama dhe Ballukut, duke përmendur edhe deklaratat e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.
Ai theksoi se nëse pretendimet janë të vërteta, atëherë tregohet se Balluku dhe Rama punojnë për të mbrojtur njëri-tjetrin, duke i cilësuar si bashkëpjesëtarë në krim.
“Çështjen e Ballukut që u çua në këtë mënyrë nga SPAK pa një masë apo heqje imuniteti e lidh edhe me diçka tjetër që nuk e di sa kemi investiguar, por duhet të keni parë lajmet se Rama thuhet se u takua me Ballukun. E ka thënë edhe Arben Ahmetaj. Se kush është vila e kuqe, nuk e di.
Nëse është e vërtetë, tregon se Balluku është aktive në mbrojtjen e të dyve si bashkëpjesëtarë në krim. Siç po shohim, fillon shkon në gjykatë, është e lirë, edhe deputete. Kjo mund t’i bëjë presion edhe gjykatave në këto kushte”, - u shpreh Lubonja. /BalkanWeb