Në daljet e tij të çoroditura publike, Edi Rama, herë duke përdorur shkopin e herë karrotën, po tregon se është vite dritë larg nga të kuptuarit e asaj që po ndodh. I matufjepsur nga pushteti i gjatë, ai po i lexon ngjarjet e fundit si një pakënaqësi ndaj qeverisjes së tij dhe jo si revoltë ndaj modelit mafioz që ai u ka imponuar qytetarëve. Gjuha që ai përdor ndaj studentëve, njëherë si gangster kërcënues e njëherë si udhëheqësit e dikurshëm komunistë që bëjnë autokritikë e premtojnë masa lehtësuese, dëshmon qartë se regjimit që ai ka ngritur, i ka ardhur fundi.
Edi Rama nuk ka qenë kurrë më i dobët, më i vjetëruar dhe më i frikësuar se sa këto ditë të fundpushtetit të tij. Përpiqet të trashë zërin se me të dhe shtetin e tij nuk mund të luhet, ama për 14 ditë po përpiqet të bëjë ato që nuk bëri për 14 vjet. Te ulë çmimin e artikujve bazë të shportës, të heqë taksën e qarkullimit nga çmimi i karburanteve, të shtojë lëmoshën për studentët e familjet në nevojë, të taksojë më shumë të pasurit, etj. Tipike e udhëheqësve që kur shohin se u kanë rënë brekët në fund të këmbëve, manovrojnë me çdo formë, me shpresën se mund të hedhin ujë mbi flakët e revoltës. Por si gjithnjë, kujtohen kur për ta është shumë vonë.
Qytetarët u ngritën kur çmimet e larta të ushqimeve, kosto e çmendur e jetesës, mungesa e ilaçeve, egërsia administrative, korrupsioni në shërbime dhe trajtimi jo human ndaj nevojave më bazike të tyre, e kishin tejkaluar mundësinë për të protestuar. Sepse veshi i shurdhër ndaj tyre u shoqërua njëkohësisht me arrogancën kriminale të eksponentëve të rilindjes, duke lënë kështu revoltën si të vetmen rrugë. Përgjimet dhe hetimet e vetëm majës së ajsbergut, vërtetuan kontrastin e thellë mes kupolës së pushtetit dhe qytetarëve. Qindra miliona euro që ndaheshin mes ministrave e banditëve ditën për diell. Luks i shfrenuar, nga vilat në bregdet, avionët privatë, llogaritë bankare jashtë vendit, hotele e resorte të regjistruara me prestanome... E sa më të mëdha skandalet e Edi Ramës, aq më e madhe pandjeshmëria ndaj atyre që grabiteshin pa pikë mëshire.
Pushteti i rilindjes i mori për të mirëqenë qytetarët shqiptarë. Edi Rama ishte i bindur se sido që të sillej me ta, tufave e deleve do të vazhdonte ta votonte me kokën ulur. Ministrat në burg, ai shtonte mandatet. Krybashkiakët në burg, ai pushtonte të gjitha bashkitë e vendit. Vjedhjet dilnin hapur, ai merrte më shumë vota. E bashkë me të, entuziasmoheshin edhe ata që sot çirren për dy kioska të djegura: I madh ky Edi Rama, e votojnë shqiptarët! Entuziasmoheshin me “aftësinë” e Ramës për të shkatërruar opozitën, me “fuqinë” e tij për të qeverisur i vetëm dhe me “suksesin” për të marrë dy të tretat e parlamentin në mandatin e katërt. Duke menduar gjithnjë se shqiptarët janë dele që bien në gjunjë para më të fortit.
Si Rama ashtu edhe ata rreth karrikes së tij, harruan rregullin e artë se e vetmja garanci për një shoqëri dhe ekonomi të ekuilibruar nuk është pushteti i njëshit, por kontrolli dhe balancimi i tij. Ky është rregulli që aplikohet në demokracitë europiane, ku nuk lartësohet makiavelizmi dhe poshtërsia e autokratit por mbahen gjallë siguresat e stabilitetit: opozita, media e pavarur, sindikatat, shoqëria civile, drejtësia. Lënia e të gjitha këtyre garancive në duart e një njeriu, me bindjen se populli do vazhdojë të hajë bar, është një gafë që shoqëritë e paguajnë shumë shtrenjtë.
Nëse Rama, i mykur në tru e në shpirt nga kalbësia e pushtetit, nuk ka si ta kuptojë diçka të tillë, ata që kanë vullnetin dhe shqetësimin për të ndryshuar kapitullin kriminal të rilindjes duhet ta dinë se kjo që po ndodh nuk është protestë për çmimin e naftës, por revoltë e atyre që i morën për të mirëqenë si populli i nënshtruar. Në pikën kur nuk ke asgjë për të humbur, nuk të kthen pas lëmosha e autokratit, por shembja e tij bashkë me modelin që ka ngritur.
Arnimet ekonomike nuk janë zgjidhje sepse nuk prekin aspak thelbin e sistemit rilindas. Ato nuk prekin hajdutërinë, babëzinë, grabitjen, dhunën dhe poshtërimin që për 15 vjet u janë bërë atyre dhe prindërve të tyre. Ata nuk mund të vazhdojnë të paguajnë për vilat e Belës e të Lalit, për pashallëqet e Gysit dhe charterat e autokratit dhe t’i falenderojnë ata se po u ulin çmimin e naftës. Edi Rama, si dikur tuhafët e sistemit komunist, mendon se me metodën e shkopit e karrotës mund ta rikthejë mbrapsht historinë. Se me akuza për agjentura të huaja e kërcnëime për mbyllje kufijsh do të trembë ata që kanë kauzë dinjitetin njerëzor. Ai as mund të trembë dhe as mund të gënjejë më askënd. Ai tashmë mund të shërbejë vetëm si shenjë e gjallë se ndryshimi do të jetë i plotë nëse, sado vonë, do detyrohet ligjërisht t’u kthejë shqiptarëve, qoftë edhe në mënyrë simbolike, atë që u ka marrë padrejtësisht. ©lapsi.al


