
Jeta mund të ndryshojë në çdo moment. Këtë e di mirë Leonardo Bonucci, i cili, në një nga periudhat më të rëndësishme të karrierës së tij, u përball me një situatë që i përmbysi gjithçka. Ish-mbrojtësi i Juventusit, Milanit dhe kombëtares italiane, së bashku me familjen e tij, u detyrua të përballonte sëmundjen e djalit të dytë, Matteo. E gjithë bota e futbollit u solidarizua me Leonardon dhe bashkëshorten e tij, Martina. Sot, ajo periudhë është vetëm një kujtim i hidhur për familjen, pasi i vogli i kapërceu problemet shëndetësore dhe tashmë është mirë. Ai mund të merret edhe me sport, duke respektuar masat e nevojshme të kujdesit. Ajo që ndodhi u dha të gjithëve një mësim force dhe dashurie, duke e forcuar edhe më shumë lidhjen familjare. Sot, Leo flet për këtë histori me më shumë qetësi, me vetëdijen e dikujt që ka arritur të shmangë një tragjedi. Ai e ndan përvojën edhe për të përcjellë mësimet që ka nxjerrë duke e përjetuar gjithçka në lëkurën e tij.
Leonardo Bonucci është ndalur sërish te kjo ngjarje e trishtë familjare, e cila fatmirësisht pati një fund të lumtur. Problemet nisën në një periudhë të gëzueshme të jetës së tij profesionale, kur rëndësia e tij në arenën ndërkombëtare po rritej ndjeshëm. “Ishte një verë e veçantë, ajo e vitit 2016. Në Kampionatin Europian kisha shënuar në çerekfinale kundër Gjermanisë penalltinë e parë në karrierën time, gjë që më rriti profilin ndërkombëtar. Pasi përfundoi kompeticioni, me Manchester Cityn të interesuar për mua, shkuam me pushime në Formentera. Atje Matteo filloi të mos ndihej mirë, dukej disi i shkëputur nga ambienti”, tregoi ai në podcastin Il Fienile. “Një mëngjes nxori një lëng të bardhë. Pas episodit të dytë, telefonuam shërbimin e urgjencës mjekësore. Dyshuan për meningjit, por ai nuk kishte temperaturë.”
Pas kthimit në Itali, gjendja nuk u përmirësua dhe u shfaqën shenja të tjera shqetësuese. Matteo humbiste ekuilibrin dhe nuk kishte forcë, deri në atë pikë sa nuk arrinte të merrte një biskotë. Në atë moment, situata nisi të bëhej fatkeqësisht më e qartë, pasi pediatri dyshoi për një problem të mundshëm neurologjik. Kështu filloi rruga e trajtimit mjekësor dhe zbulimi i hidhur që e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen kirurgjikale. “E çuam me urgjencë në spital. Pas ekzaminimeve, profesoresha na njoftoi se Matteo kishte një masë prej tetë centimetrash pranë trurit të vogël, me madhësinë e një filxhani. Nga dëshpërimi, godita murin me grusht. Duhej të operohej urgjentisht. Operacioni duhej të zgjaste tre orë, por zgjati më shumë se shtatë. Gjatë gjithë asaj kohe përjetuam ankth dhe pasiguri të jashtëzakonshme.”
Gjithçka shkoi mirë dhe i vogli Matteo i dha besim Leonardos që përpara ndërhyrjes, duke imituar ulërimën e një luani. Fatmirësisht, edhe dy operacionet e tjera që iu desh të kryente kaluan me sukses. “Për fat të mirë, operacioni shkoi mirë, megjithëse iu desh t'i nënshtrohej edhe dy ndërhyrjeve të tjera për të normalizuar qarkullimin e lëngut cerebrospinal.” Pasi rreziku u kapërcye, gjithçka nisi të shkonte në drejtimin e duhur, ndërsa sporti u bë pjesë e jetës së tij. “Sot është 12 vjeç dhe, pavarësisht kufizimeve që ka për sa u përket sporteve me kontakt fizik, është mirë dhe luan tenis. Për t'ua kthyer të tjerëve dashurinë dhe kujdesin që ka marrë, bashkëshortja ime Martina ka përshkuar 575 kilometra përgjatë lumit Po për të mbledhur fonde për spitalin Regina Margherita.”
Kjo është një histori që përcjell një mësim jete dhe mirënjohjeje, por edhe një mesazh për të gjithë ata që po përballen me probleme të ngjashme shëndetësore. Në atë periudhë, familja Bonucci shpesh merrte ngrohtësi dhe mbështetje nga tifozët, përfshirë edhe ata të skuadrave kundërshtare. Në rrethana të tilla, ngjyrat e fanellave humbnin rëndësinë dhe rivaliteti kalonte në plan të dytë. Nuk është e lehtë të flasësh për një përvojë që të ka lënë gjurmë kaq të thella, por Leonardo Bonucci e ka rrëfyer historinë e tij në mënyrë të thjeshtë dhe të sinqertë, edhe për t'u dhënë shpresë shumë njerëzve që po kalojnë periudha të vështira për shkak të sëmundjeve. Një familje e bashkuar dhe e fortë është një pikënisje e rëndësishme për t'u përballur me gjithçka në mënyrën e duhur.
