
Khloé Kardashian e ka të qartë se çfarë dëshiron nga partneri i saj i ardhshëm. Ylli i reality show-t ka ndarë me motrën e saj, Kim Kardashian, një listë me cilësitë që duhet të ketë mashkulli ideal, duke zbuluar edhe një kriter që lidhet drejtpërdrejt me pamjen e saj fizike.
Në episodin e ri të spektaklit “The Kardashians”, të publikuar më 29 tetor, Khloé dhe Kim punuan së bashku për të hartuar një listë me dëshirat dhe pritshmëritë e saj në një marrëdhënie romantike. Ideja erdhi pas një detyre që Khloé kishte marrë nga terapisti i saj.
Mes karakteristikave të kërkuara, 42-vjeçarja theksoi se partneri i saj duhet të jetë i hapur ndaj trajtimeve estetike dhe të mos e paragjykojë për vendimet që merr lidhur me pamjen e saj.
“Thjesht dua që të jetë i hapur ndaj çdo trajtimi estetik, ose të paktën të mos më gjykojë për atë që zgjedh të bëj”, u shpreh ajo.
Kim e përmblodhi këtë dëshirë në listë me fjalët: “Duhet të jetë në rregull me kirurgjinë plastike”, ndërsa Khloé ra dakord menjëherë.
Përtej pranimit të ndërhyrjeve estetike, ylli i familjes Kardashian ka një sërë kriteresh të tjera për partnerin e ardhshëm. Ajo dëshiron një mashkull të suksesshëm në karrierën e tij, me humor, mbrojtës dhe me besim te Zoti.
“Unë nuk jam sponsore financiare”, tha ajo me humor, duke nënvizuar se pret që partneri të jetë i pavarur dhe të ketë arritur suksesin e tij.
Khloé kërkon gjithashtu dikë që ta mbështesë në çdo aspekt të jetës, ashtu siç do të bënte edhe ajo për të.
“Dua dikë që të jetë mbështetësi dhe inkurajuesi im më i madh, sepse dua të bëj të njëjtën gjë për të”, u shpreh ajo.
Një tjetër element i rëndësishëm për të është pranimi i personalitetit të saj. Ajo dëshiron një partner që ta dojë ashtu siç është, me karakterin e saj të veçantë dhe anën e saj lozonjare, pa u përpjekur ta ndryshojë.
Për Khloé-n, një lidhje e shëndetshme nuk ndërtohet vetëm mbi tërheqjen fizike. Ajo dëshiron që partneri i ardhshëm të krijojë marrëdhënie të mira me familjen dhe miqtë e saj, si dhe të jetë një figurë pozitive për fëmijët e saj.
Së bashku me Kim-in, ajo ra dakord se dy nga kriteret më të rëndësishme janë që partneri të mos tradhtojë dhe të mos gënjejë.
“Dua dikë që të jetë i sinqertë dhe të më bëjë të ndihem e sigurt. Mbi të gjitha, duhet ta di se mund t’i besoj”, theksoi ajo.
Me humor, Khloé shtoi se do të pranonte edhe një partner me disa “bagazhe” nga e kaluara, për sa kohë ato të ishin të markës luksoze Louis Vuitton.
Khloé Kardashian ka qenë më parë e martuar me Lamar Odom, nga viti 2009 deri në vitin 2016. Ajo ka gjithashtu dy fëmijë, vajzën True dhe djalin Tatum, nga marrëdhënia me basketbollistin Tristan Thompson.
Lidhja e saj me Thompson përfundoi pas disa vitesh marrëdhënie të ndërprerë dhe polemikash që lidhen me tradhtitë e tij. Megjithatë, Khloé ka theksuar në intervista të mëparshme se sot të dy kanë arritur të ruajnë një marrëdhënie bashkëprindërimi, duke vendosur mirëqenien e fëmijëve në plan të parë.