
Sa hapësirë ka shteti për të ndëshkuar shkeljet gjatë protestave dhe ku fillojnë kufizimet që vendos Kushtetuta?
Paketa e masave kundër dhunës në protesta, e prezantuar nga kryeministri Edi Rama, është miratuar nga qeveria dhe një pjesë e saj është botuar në Fletoren Zyrtare.
Për juristin Ledio Braho, zbatimi i këtyre masave kërkon kritere të qarta ligjore dhe garanci që vendimet e institucioneve të mos merren në mënyrë arbitrare.
Regjistri elektronik- Çfarë ndodh me personat që nuk janë dënuar?
Një nga masat e miratuara është krijimi i një regjistri të posaçëm elektronik, që do të administrohet nga Policia e Shtetit dhe do të përfshijë personat e referuar në Prokurori ose nën hetim për vepra penale kundër autoritetit shtetëror, rendit dhe sigurisë publike, kur dokumentohen veprime konkrete të dhunshme ndaj jetës, shëndetit apo pronës publike dhe private gjatë tubimeve dhe manifestimeve publike.
Vendimi parashikon edhe njoftimin e autoriteteve të huaja të vendeve ku udhëton personi, si dhe të strukturave akomoduese vendase dhe të huaja, për rrezikshmërinë që ai paraqet për sigurinë dhe rendin publik.
Braho shpjegon për Faktoje.al se kushtetutshmëria e një regjistri të tillë varet nga qëllimi, lloji i të dhënave që do të përpunohen, kategoritë e personave që do të përfshihen, afati i ruajtjes dhe pasojat që do të sjellë regjistrimi.
Ai thotë se sipas nenit 17 të Kushtetutës, kufizimet e të drejtave duhet të parashikohen me ligj dhe të jenë proporcionale me qëllimin që synojnë të arrijnë.
Ndërkohë, neni 30 garanton prezumimin e pafajësisë deri në shpalljen e fajësisë me vendim gjyqësor të formës së prerë, ndërsa neni 35 mbron të dhënat personale.
“Nëse regjistri përfshin persona të dyshuar ose nën hetim, përfshirja në regjistër nuk mund të paraqitet si provë fajësie dhe për rrjedhojë nuk mund të sjellë pasoja ndëshkuese të tipit kufizim automatik të lëvizjes, qasjeve apo të drejtave”, argumenton Braho.
Sipas tij, edhe një regjistër që nuk është publik mund të cenojë të drejtat e qytetarëve, nëse përdoret për profilizim ose për vendosjen e masave të pafavorshme pa një shqyrtim individual.
Për këtë arsye, ai shton se krijimi i regjistrit duhet të shoqërohet me një bazë ligjore të posaçme që përcakton funksionin, kategoritë e të dhënave, kushtet e përdorimit dhe garancitë për personat e përfshirë.
Dëmet e të miturve- A mund të paguajnë automatikisht prindërit?
Një tjetër pikë e diskutueshme e paketës së Ramës është kalimi te prindërit i përgjegjësisë financiare për dëmet e shkaktuara nga fëmijët e mitur.
Por, sipas Brahos, këtu duhet bërë një dallim mes shpërblimit civil për dëmin konkret dhe një gjobe administrative ose penale.
Ai shpjegon se Kodi Civil parashikon rregulla të ndryshme në varësi të moshës së të miturit:
-Për fëmijët nën 14 vjeç, neni 613 parashikon përgjegjësinë e personave që kanë detyrimin e mbikëqyrjes, me përjashtimet e përcaktuara në ligj.
-Për të miturit nga 14 deri në 18 vjeç, neni 614 parashikon fillimisht përgjegjësinë e vetë të miturit, ndërsa përgjegjësia e prindërve varet nga kushtet ligjore, përfshirë mundësinë që i mituri të përmbushë detyrimin me të ardhurat nga puna ose pasurinë e vet.
Braho thekson se, përpara se të kërkohet dëmshpërblimi nga prindërit, duhet të provohen veprimi i paligjshëm, dëmi dhe lidhja shkakësore.
Gjithashtu, sipas tij duhet të shqyrtohen kushtet konkrete të përgjegjësisë së prindit dhe t’i jepet atij mundësia të paraqesë mbrojtjen e parashikuar nga ligji.
Sipas juristit, vendosja automatike e përgjegjësisë financiare mbi prindërit, pa shqyrtuar rrethanat konkrete dhe pa u dhënë mundësinë të paraqesin mbrojtjen e tyre, mund të ngrejë pikëpyetje për përputhshmërinë e masës me Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës.
“Kështu, për të kërkuar dëmshpërblimin nga prindi duhen provuar veprimi i paligjshëm, dëmi dhe lidhja shkakësore, më tej për përgjegjësinë e prindit duhen plotësuar edhe kushtet ligjore për moshën dhe aftësitë pasurore të të miturit, po ashtu prindit duhet t’i jepet mundësia të paraqesë mbrojtjen e parashikuar sipas Kodit Civil, ndaj përgjegjësia nuk mund të vendoset automatikisht vetëm për shkak të lidhjes prind-fëmijë.
Konventa për të Drejtat e Fëmijës kërkon që interesi më i lartë i fëmijës të jetë konsideratë parësore, të drejtën e fëmijës për t’u dëgjuar dhe respektimin e prezumimit të pafajësisë në proceset penale.
Këto parime nuk përjashtojnë përgjegjësinë civile të prindërve kur plotësohen kushtet e ligjit, por kërkojnë shqyrtim individual dhe një procedurë ku palët mund të dëgjohen”, thotë ai për Faktoje.
Postimet në rrjetet sociale- A mund të detyrojë policia fshirjen e tyre?
Paketën e masave Rama e ka lidhur edhe me thirrjet për dhunë në rrjetet sociale.
Sipas Ramës, policia do t’u dërgojë njoftim mbajtësve të llogarive për fshirjen e postimeve që nxisin dhunë gjatë tubimeve, ndërsa moszbatimi mund të pasohet nga ndjekja penale.
Braho argumenton se policia ka kompetenca për të parandaluar dhunën dhe për të referuar pranë prokurorisë faktet që mund të përbëjnë vepër penale. Megjithatë, ai thekson se një njoftim policor nuk është vetvetiu vendim gjykate dhe nuk provon automatikisht se një postim është i paligjshëm.
Sipas tij, nëse mosfshirja e një postimi do të shërbejë si bazë për ndjekje penale, ligji duhet të përcaktojë qartë se çfarë urdhri mund të japë policia, mbi çfarë provash, për sa kohë dhe si mund të kundërshtohet ai.
“Pa këto garanci, masa rrezikon të kthehet në kufizim paraprak të lirisë së shprehjes”, vëren Braho.
Për të, thelbësore është të bëhet dallimi mes nxitjes së drejtpërdrejtë të dhunës dhe shprehjes së një mendimi politik, edhe kur ky është i ashpër ose kritik ndaj qeverisë.
“Kushtetuta garanton lirinë e shprehjes dhe ndalon censurën paraprake të mjeteve të komunikimit.
Për të dalluar nxitjen e drejtpërdrejtë të dhunës nga mendimi politik, vlerësimi duhet të jetë konkret: çfarë u tha, kujt iu drejtua, në çfarë konteksti, me çfarë qëllimi dhe nëse fjalët krijuan rrezik real e të afërt për dhunë.
Kritika ndaj qeverisë, thirrja për protestë paqësore, satira, gazetaria dhe raportimi nuk duhet të trajtohen si nxitje vetëm sepse janë të ashpra ose kundërshtuese.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut kërkon vlerësim të kontekstit dhe dallon shprehjen që nxit dhunë nga shprehjet që nuk e bëjnë këtë. Gjithsesi nuk mund të jetë Policia e Shtetit ajo që ka fjalën e fundit në lidhje me lirinë e shprehjes dhe të bëjë kufizime të kësaj natyre si ato që propozohen”, vijon ai.
Gjobat deri në 500 mijë lekë- Çfarë kriteresh duhet të përcaktojë ligji?
Përgjegjësia financiare e personave të përfshirë në tubime është një tjetër element i paketës.
Rama ka propozuar gjoba deri në 500 mijë lekë për sjellje të caktuara gjatë tubimeve, përfshirë qëndrimin në një grumbullim të dhunshëm pas paralajmërimeve të policisë dhe mosbindjen ndaj urdhrave për shpërndarje.
Por, sipas Brahos, përcaktimi i një kufiri maksimal të gjobës nuk mjafton.
Ai thotë se ligji duhet të parashikojë kritere të qarta për përcaktimin e masës konkrete, në mënyrë që vendimmarrja të mos mbetet në diskrecion të pakufizuar të autoritetit.
“Ndër elementet që duhet të vlerësohen në varësi të marzhit janë rëndësia dhe rrezikshmëria e shkeljes, pasojat faktike, roli dhe shkalla e fajësisë së personit, përsëritja, rrethanat lehtësuese ose rënduese, përfitimi i nxjerrë dhe mundësia ekonomike e personit të gjobitur”, evidenton Braho.
Po ashtu, sipas tij procedura duhet të garantojë arsyetimin me shkrim të vendimit, dëgjimin e personit, proporcionalitetin e masës dhe të drejtën për ankim efektiv.
Në rastin e protestave, juristi nënvizon se prania në turmë nuk mund të jetë e vetme e mjaftueshme për të vendosur një gjobë.
“Duhet të provohet sjellja individuale dhe lidhja e saj me shkeljen, përndryshe rrezikojnë të ndëshkohen pa dallim protestues paqësorë, kalimtarë ose persona që ndodhen rastësisht në atë zonë”, thotë ai. /Marrë nga Faktoje.al