
Një helikopter ushtarak italian i tipit CH-47, i angazhuar në misionin paqeruajtës të Bashkimit Evropian, EUFOR Althea, është rrëzuar pasditen e së enjtes në Bosnjë-Hercegovinë, në zonën e Brçkos. Ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje ndërsa shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta.
Sipas kryetarit të qytetit të Brçkos, Siniša Milić, bilanci paraprak i aksidentit është tre viktima dhe 12 të plagosur. Komanda e EUFOR-it ka konfirmuar se disa pjesëtarë të misionit kanë humbur jetën, ndërsa të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë. Identiteti i personave të përfshirë dhe rrethanat e sakta të rrëzimit pritet të bëhen të ditura pas verifikimeve zyrtare.
Ministria italiane e Mbrojtjes ka bërë të ditur se ekipet e shpëtimit kanë ndërhyrë menjëherë, por për momentin nuk ka dhënë detaje të tjera për gjendjen e personelit në bord. Ndërkohë, EUFOR ka nisur një hetim të plotë për të përcaktuar shkaqet e aksidentit, i cili ndodhi gjatë një operacioni rutinë në zonën e Brçkos, në verilindje të Bosnjë-Hercegovinës.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani kanë shprehur ngushëllimet për viktimat dhe solidaritetin me familjet e tyre dhe personelin e forcave të armatosura.