
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike do të marrë vëmendjen politike ditën e sotme. Kjo pasi këtë të hënë në rendin e ditës është caktuar diskutimi dhe miratimi në parim, shqyrtimi dhe miratimi nen për nen e në tërësi i projektligjit “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
Bazuar në kalendarin e mbledhjeve të komisioneve parlamentare, të publikuar nga Kuvendi, seanca do të zhvillohet në orën 11:00. Nisur nga kjo dhjetëra qytetarë që janë kundër shkrirjes së bashkive ekzistuese, projekt i propozuar nga mazhoranca qeverisëse janë mbledhur para godinës së Kryesisë së Kuvendit në shenjë protestë kundër këtij drafti.
Ky projektligj është shoqëruar me një sërë debatesh, kundërshtimesh e qëndrimesh politike, si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita. Ndryshimet e propozuara kanë krijuar edhe përplasje në mbledhjet e zhvilluara në këshillat bashkiakë në vend, që kanë shprehur me votë mosdakordësinë.
Drafti për Reformën Territoriale të hartuar nga Partia Socialiste dhe ekspertët e saj është depozituar sot në Kuvend dhe përmban disa ndryshime me rëndësi për hartën e vendit. Sipas draftit, do të shkrihen 15 bashki dhe numri i tyre do të shkojë në 46. Bazuar në propozimin e PS-së, do të shkrihën këto bashki: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh e Përrenjas. Po ashtu, parashikohet që Shqipëria të jetë e ndarë në 387 njësi administrative në total.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka sugjeruar që Shqipëria do të organizohet në gjashtë rajone, më konkretisht: Shkodër-Lezhë, Dibër-Kukës, Tiranë-Durrës, Elbasan-Korçë, Fier-Berat dhe Vlorë-Gjirokastër. Sa i përket numrin e bashkive në të gjithë vendin, PD propozon 100 bashki.