
Pothuajse gjysma e gjermanëve besojnë se ish-kancelarja, Angela Merkel, do të ishte më e aftë se kancelari aktual, Friedrich Merz, për tu përballur me sfidat e Gjermanisë. Ky është rezultati i një sondazhi të institutit YouGov, zhvilluar për agjencinë gjermane të lajmeve DPA.
Sipas sondazhit 48 për qind e të anketuarve mendojnë se Angela Merkel do të ishte më e aftë të menaxhonte problemet aktuale të vendit. Ndërkohë 29 për qind mendojnë se Merkel dhe Merz do të ishin po aq të aftë në përballjen me sfidat e Gjermanisë.
Vetëm 8 për qind e të anketuarve e vlerësuan Merkelin më pak të aftë se Merzin, ndërsa 15 për qind nuk dhanë përgjigje ose thanë se nuk kishin ndonjë mendim.
Rivalë politikë
Angela Merkel drejtoi si kancelare Gjermaninë për 16 vjet, nga viti 2005 deri në vitin 2021, ndërsa Friedrich Merz po përballet me nivelet më të ulëta të pranimit të tij nga publiku që prej marrjes së detyrës si kancelar në maj të vitit të kaluar. Të dy politikanët i përkasin partisë konservatore CDU, por konsiderohen prej vitesh si rivalë politikë.
Ndër sfidat kryesore me të cilat përballet aktualisht Gjermania renditen ekonomia në stanjacion, rritja e çmimeve të energjisë, plakja e popullsisë, mungesa e fuqisë punëtore për financimin e sistemit social, migracioni i paligjshëm dhe pasojat e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.