
Michael Douglas ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve të vjetra se kishte qenë i varur nga seksi, duke mohuar gjithashtu se kujtimet e tij të reja janë të mbushura me histori seksuale.
Gjatë një interviste për “The Sunday Times”, aktori u vu përballë pyetjeve rreth jetës së tij intime dhe zërave që e kanë shoqëruar prej dekadash.
Kur gazetari i tha se libri i tij i ardhshëm, “One Helluva Ride”, ishte “i mbushur me seks”, Douglas kundërshtoi.
Aktori tha se në libër përmend vetëm “disa” prej partnereve të tij, ndërsa kundërshtoi edhe pretendimin se kishte pasur lidhje me pesë gra përpara se të vendoste të ishte ekskluzivisht me bashkëshorten e tij, Catherine Zeta-Jones.
“Jo, jo, nuk ishte kështu”, u përgjigj ai.
Douglas shpjegoi se ishte vetë Catherine ajo që i kishte vendosur kushtin për të vazhduar lidhjen.
“Catherine tha: ‘Nëse do të vazhdojmë, atëherë dua që të jetë monogame’. Dhe kështu, atë mbrëmje, u telefonova disa njerëzve me të cilët po shoqërohesha dhe kaq ishte”, tregoi aktori.
Kur gazetari e pyeti për numrin e madh të grave me të cilat kishte pasur marrëdhënie gjatë jetës, Douglas u përgjigj se nuk e shihte në atë mënyrë.
“Jo, jo unë. Isha thjesht një produkt i shëndetshëm i viteve ’60”, tha ai, përpara se të kritikonte mediat britanike për interesin e vazhdueshëm ndaj jetës seksuale të personazheve të famshëm.
Douglas mohoi gjithashtu një prej thashethemeve më të njohura për të. Prej vitesh është raportuar se aktori kishte shkuar në rehabilitim në vitet ’90 për shkak të një varësie ndaj seksit.
Sipas tij, ky pretendim nuk ka qenë kurrë i vërtetë.
“Një redaktor i një tabloidi britanik e shpiku këtë histori. Faleminderit shumë, ja ku jemi duke folur për të edhe në moshën 82-vjeçare. Kjo ndodh me tabloidët. Nuk ishte e vërtetë”, deklaroi Douglas.
Në kujtimet e tij, aktori thuhet se e mohon kategorikisht këtë etiketim, duke theksuar se “nuk ka qenë kurrë i varur nga seksi”.
Megjithatë, Douglas pranon në libër një lidhje të fshehtë me aktoren Kathleen Turner, me të cilën luajti në filmin “Romancing the Stone” në vitin 1984. Marrëdhënien e tyre e mbajtën sekret për rreth 40 vjet.
Douglas e ka përshkruar atë histori si një “magji” dhe si diçka më shumë se një aventurë kalimtare.