
Mbetet e tensionuar situata jashtë Kuvendit të Kosovës, pasi protestuesit hodhën mjete piroteknike duke kërkuar që deputetët të votonin ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale. Një pjesë e protestuesve po qëndrojnë ende në shesh edhe pse po afron mesnata.
Policia e Kosovës iu përgjigj protestuesve me gaz lotsjellës para Kuvendit. Rruga kryesore pranë Kuvendit të Kosovës u bllokua, ndërsa prezente ishin forcat e shtuara të njësive speciale të Policisë së Kosovës.
Forcat e policisë u detyruan të përdorin gazin lotsjellës dhe spraj me piper për të liruar kalimin e deputetëve që kishin mbetur të bllokuar në Kuvend. U raportua se nga përplasjet, 11 persona kanë përfunduar në spital, njëri prej të cilëve është zyrtar policie.
Rreth orës 19:00, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministri Albin Kurti u larguan nga ndërtesa e Kuvendit. Thirrjet dhe reagimet e protestuesve për votimin e ndryshimeve në ligj erdhën pas dështimit të negociatave mes LVV dhe PDK, ku Albin Kurti dhe Bedri Hamza nuk gjetën kompromis për zgjedhjen e Presidentit.
Më herët Kurti zhvilloi një takim me kreun e PDK-së Bedri Hamza. Kurti këmbëngul që përpara se ligji për “Specialen” të votohet edhe në tërësi duhet që të zgjidhet çështja e Presidentit të ri. PDK thotë se fillimisht duhet të votohet ligji dhe më pas të diskutohet për Presidentin. ©LAPSI.al