
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, po zhvillon një vizitë në Athinë, ku në qendër të diskutimeve janë bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe forcimi i marrëdhënieve dypalëshe mes Greqisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Gjatë bisedimeve pritet të diskutohen çështje që lidhen me avionët luftarakë F-35, armatimet e tyre, si dhe automjetet e blinduara Stryker, përmes programit të transferimit të pajisjeve ushtarake amerikane të tepërta.
Athina pritet të ngrejë gjithashtu çështjen e tensioneve me Turqinë në Egje dhe Mesdheun Lindor, si dhe rifillimin e projektit për ndërlidhjen elektrike mes Greqisë dhe Qipros.
Vizita e Rubios ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave turke, të cilat kanë vënë theksin te projekti i ndërlidhjes elektrike dhe kundërshtimet e Ankarasë ndaj kabllit që kalon nëpër zonën e pretenduar nga Turqia si shelfi i saj kontinental.
Ndërkohë, në Athinë dhe Selanik janë organizuar tubime kundër vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit dhe Dialogut Strategjik Greqi-SHBA. Pjesëmarrësit kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj thellimit të përfshirjes së Greqisë në planet e SHBA-së dhe NATO-s.