Këngëtarja Aurela Gaçe ka reaguar në rrjetet sociale për protestat e tw rinjve, ndërsa prej ditësh vendi është përfshirë nga protestat e të rinjve kundër qeverisë.
Përmes një mesazhi, artistja ka ngritur shqetësimin për humbjen e shpresës së të rinjve për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri, duke shtruar një sërë pyetjesh për arsyet që i shtyjnë shqiptarët të largohen nga vendi dhe përgjegjësinë për këtë situatë.
“Kaq vështirë është të kuptojmë se rinia ka humbur shpresën për të ndërtuar të ardhmen këtu? Pse ikin? Pse duan të ikin? Kush na e jep përgjigjen? Kush është përgjegjës?”, shkruan Aurela Gaçe.
Reagimi i këngëtares vjen në një moment kur protestat e të rinjve kanë vijuar prej disa ditësh, të shoqëruara me përplasje me policinë dhe tensione në rrugët e kryeqytetit.
Për të përcjellë mesazhin e saj, Gaçe ka zgjedhur të ndajë edhe një pjesë nga kënga “Zemërthyer” e të ndjerit Dr. Flori, vargjet e së cilës shprehin zhgënjimin ndaj politikës, ndjenjën e braktisjes dhe mungesën e perspektivës.
“Jam i papërfaqësuar, i parealizuar. Unë jam i tradhtuar, jam i nënvlerësua. Unë nuk jam pazar e as matematikë. O politikë e ndyrë jam me gjak, jam me shpirt. E kur fillon për keq të shkojë deri në fund. Më mirë një fund me dhimbje sesa dhimbje pafund E shohin një dritë të vogël, se më keq s’ka ku të shkojë VETEM ME BESIM TEK ZOTI Ky vend mund të shpëtojë”.