
Kisha Katolike në Shkodër ka reaguar për situatën e tensionuar në vend, duke u bërë thirrje qeverisë dhe Bashkisë së Shkodrës të reflektojnë dhe të marrin përgjegjësitë që u takojnë.
Në mesazhin e saj, Kisha thekson se nuk synon të zëvendësojë institucionet civile, por se bashkësitë fetare nuk mund të qëndrojnë indiferente përballë një krize shoqërore. Sipas deklaratës, protestat e ditëve të fundit tregojnë një pakënaqësi të thellë që nuk duhet shpërfillur. Kisha dënon dhunën, por njëkohësisht kërkon nga autoritetet të dëgjojnë qytetarët, të hapin dialogun dhe të trajtojnë shkaqet e pakënaqësisë.
“Përgjegjësia e autoriteteve nuk matet me deklarata, por me vendime konkrete”, thuhet në mesazh, ku kërkohet që interesi publik të vendoset mbi çdo interes privat.
Kisha paralajmëron se, kur besimi te institucionet tronditet dhe paqja shoqërore vihet në rrezik, qeverisësit duhet të marrin përgjegjësi dhe, nëse është e nevojshme, edhe vendime të vështira.
Një apel i veçantë i drejtohet edhe Bashkisë së Shkodrës. Në deklaratë theksohet se qyteti është një e mirë e përbashkët dhe nuk mund të konsiderohet pronë e institucioneve, pushtetarëve apo atyre që zotërojnë pasuri. Kisha kërkon më shumë vëmendje për familjet në vështirësi, të rinjtë që shohin të ardhmen jashtë vendit, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe shtresat më të cenueshme. Mesazhi mbyllet me thirrjen që institucionet të dëgjojnë më shumë qytetarët dhe të garantojnë drejtësi, mundësi të barabarta, arsim, shëndetësi dhe shërbime sociale pa korrupsion apo favorizime.