
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë ka ngritur alarmin për sigurinë e punonjësve të medias gjatë protestave studentore në Tiranë. Sipas deklaratës së publikuar këtë të hënë, të paktën 21 raste janë denoncuar publikisht, ku gazetarë, kameramanë dhe fotoreporterë pretendojnë se janë penguar, dhunuar ose lënduar gjatë raportimit në terren.
Më 18 tetor, gazetaret Glidona Daci dhe Klodiana Lala denoncuan ndërhyrje të policisë dhe kufizim të filmimeve pranë komisariateve. Ndërsa Taulant Kopliku, drejtues i emisionit “Piranjat”, deklaroi se ishte goditur nga një polic, i ishte marrë telefoni dhe i ishin fshirë pamjet.
Raste të tjera janë raportuar nga Elkier Bushkolaj, Renaldo Salianji, Enkelejda Mema, Alice Taylor, Bekim Bici dhe Felix Bilani, të cilët kanë denoncuar pengime apo ndërhyrje gjatë ushtrimit të detyrës. Shoqata përmend edhe raste ku punonjësit e medias janë përballur me dhunë nga protestuesit. Një ekip i Report TV dhe gazetarja Doriana Bezat raportohet se janë sulmuar gjatë mbulimit të protestave, ndërsa Vjolanda Peca dhe Fatime Halmusaj janë lënduar nga gurë dhe sende të forta. Po ashtu, operatori Elvin Kamberi është raportuar i lënduar pas hedhjes së një granate zhurmuese në zonën ku ndodheshin punonjës të medias. Anesti Bajramemaj, Henri Simota, Izmir Akulli, Jonida Mukja, Albi Muçollari dhe Xhoi Malësia kanë denoncuar gjithashtu episode pengimi, dhune apo ndërhyrjeje nga efektivë policie.
Shoqata vlerëson se përsëritja e rasteve nuk mund të konsiderohet më si incidente të izoluara dhe kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet. Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë së Tiranës u kërkohet të verifikojnë çdo denoncim dhe të identifikojnë përgjegjësit. Një apel i drejtohet edhe organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protesta që të respektojnë sigurinë e gazetarëve dhe mjetet e tyre të punës.
“Gazetarët nuk janë palë në protestë, por janë aty për të informuar publikun”, thuhet në deklaratë.