
Selma Blair është shfaqur për herë të parë në publik pas incidentit të bujshëm në avion, duke marrë pjesë në aktivitetin “90s Con” në Connecticut, ku u takua me fansat dhe pozoi për fotografi.
Aktorja 54-vjeçare, e njohur për rolet e saj në filmat Cruel Intentions dhe Legally Blonde, mori pjesë në aktivitetin e së premtes, më 16 tetor, vetëm pak ditë pas arrestimit të saj në New York. Sipas raportimeve të mediave të huaja, fansat patën mundësinë të takoheshin me aktoren dhe të realizonin fotografi me të, ndërsa për një foto me të kërkohej një pagesë prej 100 dollarësh.
Megjithatë, takimet me Blair duket se u zhvilluan nën masa të veçanta. Sipas një dëshmitari të cituar nga Daily Mail, fansave iu kërkua të mos përdornin telefonat gjatë takimit, ndërsa stenda e aktores ishte e vetmja që nuk ishte e dukshme për publikun e gjerë. Ajo shoqërohej gjithashtu nga pjesëtarë të stafit dhe truproja.
Çfarë ndodhi në avion?
Blair u arrestua më 11 tetor, pas një incidenti në një fluturim të Delta Airlines nga Los Angeles drejt New York-ut. Sipas autoriteteve, aktorja dyshohet se sulmoi pjesëtarë të ekuipazhit gjatë fluturimit. Pas uljes së avionit, ajo u akuzua gjithashtu për sulm ndaj një polici dhe një infermiereje.
Aktorja është deklaruar e pafajshme ndaj akuzave të ngritura në gjykatë, ndërsa çështja vijon të jetë nën hetim.
Përfaqësuesit e saj kanë deklaruar se Blair përjetoi një urgjencë mjekësore gjatë fluturimit dhe se nuk kishte qëllim të lëndonte askënd. Sipas mbrojtjes së saj, gjendja mund të jetë ndikuar nga mosmarrja e disa dozave të ilaçeve të përshkruara dhe nga një dëmtim në kokë.
Selma Blair, e cila bëri publik në vitin 2018 faktin se vuan nga skleroza multiple, ka marrë trajtim mjekësor pas incidentit dhe, sipas përfaqësuesve të saj, gjendja e saj është e qëndrueshme.