
Situata është tensionuar të hënën mbrëma në Prishtinë, ku Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit që kishin rrethuar Kuvendin dhe për të krijuar mundësi për largimin e deputetëve. Raportohet edhe për persona të lënduar.
Protestuesit kishin bllokuar daljet e Kuvendit dhe kërkonin që deputetët të miratonin në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, pasi projektligji ishte miratuar më herët në parim.
Përplasja politike lidhet edhe me zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Bisedimet mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të PDK-së, Bedri Hamza, nuk sollën marrëveshje për votimin e ligjit. PDK pretendon se votimi është kushtëzuar me zgjedhjen e presidentit.
Ndërkohë, deputetët e Vetëvendosjes janë larguar nga Kuvendi pas ndërhyrjes së policisë, ndërsa deputetët e PDK-së kanë vijuar të qëndrojnë në objekt. Afati i fundit për zgjedhjen e presidentit është 6 tetori.