
Gjashtë persona kanë humbur jetën dhe 15 të tjerë janë plagosur pas një sulmi me armë zjarri në Krakov, në jug të Polonisë. Ngjarja ndodhi të shtunën pranë sheshit kryesor të qytetit. Mes viktimave raportohet se janë katër gra dhe dy burra, ndërsa mes të plagosurve ndodhen edhe dy efektivë policie.
Autori i dyshuar, një shtetas polak, është arrestuar pas ndërhyrjes së forcave të rendit. Sipas Ministrisë së Brendshme, ai tentoi të largohej dhe gjatë operacionit pati shkëmbim zjarri me policinë. I dyshuari mbeti i plagosur dhe është transportuar në spital nën mbikëqyrjen e autoriteteve. Gjendja e një prej dy policëve të plagosur raportohet kritike.
Policia ka bërë të ditur se nuk po kërkohen persona të tjerë në lidhje me sulmin. Kryeministri Donald Tusk tha se po ndiqet nga afër situata dhe se autoritetet po hetojnë të gjitha rrethanat dhe motivet e mundshme të ngjarjes. Edhe presidenti Karol Nawrocki ka reaguar, duke shprehur solidaritet me familjet e viktimave dhe të plagosurit.