Kufinjtë politik të protestës sociale përcaktohen nga qëllimi dhe frymëzimi madhor i saj, refuzimi dhe rrëzimi i sistemit të vjetër politik që përfaqëson kryetarët dhe jo qytetarët. Nuk bëhet fjalë thjesht për rrëzimin e qeverisjes së Edi Ramës por të modelit politik që ai përfaqëson dhe që e mban në pushtet; personalizimi dhe privatizimi i pushtetit publik.
Padyshim që Rama është mishërimi kulmor i këtij modeli që e ka tharë demokracinë shqiptare, por jo i vetmi. Modeli më i herëshëm që Rama ka ditur të imitojë dhe perfeksionojë është Berisha dhe berishizmi, që e kanë shndërruar Partinë Demokratike në biznes familiar. Ndërkohë përtej modeleve Rama dhe Berisha ekizston një panteon kryetarucësh që prej dekadash udhëheqin parti-familje apo parti-individ, si Ilir Meta dhe LSI-ja apo Fatmir Mediu dhe Partia Republikane.
Sistemi politik që kanë ndërtuar parti të tilla është ajo që protestuesit e kanë quajtur Shqipëria e Vjetër. Kjo është Shqipëria e klientelizmit politik, e korrupsionit dhe abuzimit sistemik me pushtetin, e pasurimit nëpërmjet pushtetit dhe krimit të organizuar dhe e përdorimit të shtetit për të nënshtruar dhe jo përfaqësuar qytetarin. Është Shqipëria e oligarkëve, mediave dhe partive që si synim kryesor nuk kanë zhvillimin përfshirës por pasurimin vetjak dhe riprodhimin e statu quo-së.
Ndaj janë pikërisht këto parti që përcaktojnë kufinjtë e protestës sociale. Natyrisht që protesta duhet të materializohet në një front të gjerë politik, ku përfshihen rryma dhe ideologji të ndryshme, sepse vetëm kështu mund të shembet sistemi aktual politik.
Në këtë kuptim fronti politik i Flamingove duhet të përfshijë ambientalist, të majtë, të djathtë, liberalë, nacionalistë dhe konservatorë dhe nuk mund të reduktohet tek një parti e vetme politike.
Ama një gjithpërfshirje e tillë nuk mund të funksionojë dhe as të konsolidohet pa pasur përballë një kufi të qartë antagonizmi me klasën e vjetër politike. Shqipëria e Re mund të ndërtohet vetëm në opozitë me Shqipërinë e Vjetër të Ramës, Berishës, Metës apo Mediut. Bashkëpunimi me klasën e vjetër politike jo vetëm do ta shkatërrojë unitetin e protestës sociale por do kontaminojë armën e saj më të fortë, epërsinë morale.
Ndaj gabojnë ata që vajtojnë ndarjen e opozitës kur përfaqësues të vërtetë të protestës sociale, si antarët e Lëvizjes Bashkë, përplasen me miltantët e Sali Berishës. Natyrisht që çdo anëtar i Partisë Demokratike është në të drejtën e tij apo të saj të dalë të protestojë dhe ti bashkangjitet protestës sociale si individ.
Ama kurrësesi protesta sociale nuk mund të kanalizohet dhe aq më pak të përfaqësohet nga Partia Demokratike e udhëhequr nga Berisha dhe berishizmi, një tumor i skenës sonë politike. Forca morale dhe politike e Revolucionit të Flamingove ishte dhe mbetet kërkesa për transformimin dhe renovimin e skenës sonë politike. Reduktimi i kësaj kërkese tek rotacioni i pushtetit nga njëri model korruptiv tek tjetri delegjitimon dhe dekurajon potencialin politik të protestës.
E di që shumë lexues do më thonë se protesta e ka humbur potencialin e saj politik, apo se i duhen numërat e Berishës për të rrëzuar Ramën pasi nuk është e aftë ta bëjë diçka të tillë vetë. Apo sikurse pretendonte një media e rreshtuar me Ramën, sherri për protestën është sherr për pronësinë e dështimit të saj.
Kjo është një narrativë politike që i shërben sa Ramës edhe Berishës për ti hapur gropën protestës. Është e vërtetë që numrat e protestuesve kanë rënë si pasojë e mungesës së organizimit dhe e penetrimit të saj nga element të dhunëshëm që kanë larguar qytetarët paqësor.
Por sukesi i një proteste nuk matet vetëm nga numrat por mbi të gjitha nga kauza dhe potenciali i saj politik. Tronditja që shkaktoi Revolucioni i Flamingove nuk ishte thjesht si pasojë e masivitetit qytetar por mbi të gjitha e artikulimit të pakënaqësisë qytetare dhe i epërsisë së saj morale në raport me klasën e vjetër politike.
Potenciali real i protestës sociale nuk qëndron tek numërat që nxjerr në shesh sot por tek alternative politike që ajo mund të prodhojë nesër përtej klasës së vjetër politike. Si Rama edhe Berisha janë tejet të ndërgjegjëshëm për këtë potencial ndaj përpiqen ta kapin apo delegjitimojnë Revolucionin e Flamingove, apo të shpallin vdekjen e parakohëshme të tij, në sinkron të plotë.
Fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk e vret dot potencialin e Revolucionit të Flamingove sepse kauza politike dhe pakënaësia qytetare që ai arriti të artikulojë, por ende jo të organizojë, vazhdon të jetë aty dhe të rritet çdo ditë. Ndërkohë çdo ditë që kalon nxjerr gjithnjë e më në pah korruptimin e pushtetit të Edi Ramës, degradimin e opozitës berishiste dhe nevojën për një alternativë politike
E vetmja mënyrë për ta vrarë potencialin e protestës sociale është nëpërmjet llogjikës së vjetër politike se qelbësira në pushtet rrëzohet vetëm me një aleancë të madhe qelbësirash në opozitë.
Është një llogjikë perverse që në vend që ta ngrejë protestën sociale e ul atë në nivelin e qelbësirave opozitare që legjitimojnë kënetën politike të pushtetit aktual.
Artikulli "Mbi kufinjtë politik të protestës sociale" shkruar nga Blendi Kajsiu, enkas për Lapsi
