Flash

Rubio: Anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është tani në krye të agjendës së aleatëve

Lapsi.al 3 June 2026

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se zgjerimi i NATO-s për të përfshirë Kosovën aktualisht nuk është në krye të agjendës së aleatëve, por shtoi se kjo nuk do të thotë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë në të ardhmen.

Gjatë një seance dëgjimore në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Rubio tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara mbështesin kandidatin italian për postin e ri të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, duke thënë se besojnë se ai “do ta kryente mirë punën dhe do të ndihmonte në sjelljen e stabilitetit në këtë funksion”.

Sekretari amerikan i Shtetit iu përgjigj pyetjeve të kryetarit të Nënkomitetit për Evropë në Dhomën e Përfaqësuesve, Keith Self, i cili së fundmi ka vizituar Bosnje e Hercegovinën, Serbinë dhe Kosovën. Gjatë seancës, Self e cilësoi situatën në Ballkanin Perëndimor si “jashtëzakonisht të brishtë”.

Self tha se mes Serbisë dhe Kosovës ekziston një “problem i pazgjidhur” dhe i kërkoi Rubios që, në bisedimet me katër vendet anëtare të NATO-s që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe që, rrjedhimisht, e bllokojnë anëtarësimin e saj në aleancën ushtarake perëndimore, të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Rubio tha se, bazuar në takimet e tij me ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të aleancës, NATO-ja “është e përqendruar në çështje të tjera” dhe se “zgjerimi, posaçërisht në rastin e Kosovës, por edhe në raste të tjera, nuk është në krye të agjendës së këtyre vendeve”. Megjithatë, ai shtoi se kjo “nuk do të thotë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë”.

“Kjo nuk ka pasur vend të rëndësishëm në bisedimet e fundit me aleatët tanë të NATO-s”, tha Rubio.

Kosova synon të bëhet pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian. Por, shtetet që nuk e njohin pavarësinë e saj, të shpallur më 2008, vazhdojnë të jenë pengesë në integrimin euroatlantik të Prishtinës.

Self, së bashku me dy kolegë të tij në Kongres, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, ka paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve një rezolutë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO. Në këtë rezolutë thuhet se prania e Kosovës në aleancë është e domosdoshme për mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare të SHBA-së në Evropën Juglindore.

“Zotëria nga Italia” për Bosnje e Hercegovinën

I pyetur nga Self për zgjedhjen e përfaqësuesit të ri të lartë në Bosnje e Hercegovinë, pas dorëheqjes së Christian Schmidtit, Rubio tha se SHBA-ja mbështet “zotërinë nga Italia”, pa e përmendur emrin e tij.

Diplomati italian Antonio Zanardi Landi përmendet si kandidat që gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, ndërsa vendet evropiane kanë kandidatët e tyre.

“Përtej kësaj, ne mbetemi të angazhuar në këtë çështje, siç e theksuat edhe ju, dhe këtë e kemi bërë edhe privatisht. Gjëja e fundit që duam të shohim është çfarëdo lloj konflikti atje, çfarëdo ndarjeje, kufizimi apo gjëra të kësaj natyre që do të shkaktonin konflikt të mëtejshëm”, tha Rubio.

Në Sarajevë, të mërkurën, nisi mbledhja e Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC), në të cilën pritet të diskutohet për zgjedhjen e përfaqësuesit të ri të lartë në Bosnje e Hercegovinë, si dhe për përcaktimin e mandatit të tij të ardhshëm.

Përveç Zanardit, ndër kandidatët e përmendur janë edhe i dërguari i posaçëm i Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz, si dhe të dërguarit aktualë dhe të mëparshëm britanikë për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce dhe Stuart Peach.

Nëse nuk arrihet marrëveshje, përfaqësuesi aktual i lartë, Schmidt, do të mbetet në detyrë deri në një vendim tjetër, siç ka paralajmëruar edhe vetë gjatë dorëheqjes së tij.

Përfaqësuesi i lartë, i cili emërohet nga PIC-u, ka mandat për të mbikëqyrur zbatimin civil të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, me të cilën, më 1995, u ndal lufta në Bosnje e Hercegovinë. Atij i janë dhënë të ashtuquajturat kompetenca të Bonit, që përfshijnë mundësinë e imponimit të vendimeve dhe ligjeve, si dhe shkarkimin e zyrtarëve në Bosnje e Hercegovinë. /Marrë nga Radio Evropa e Lirë

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

9°c

KËMBIMI EURO

91.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI