Flash

Deklaratë unanime për UÇK-në/ Kuvendi i Kosovës kundërshton Hagën

Lapsi.al 28 September 2026

Kuvendi i ri i Kosovës ka miratuar të hënën, në seancën e tij të parë plenare, një deklaratë lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Deputetët thanë se e konsideronë “si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal” të katërshes. Deklarata e 28 shtatorit u miratua me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Më vonë, Kuvendi zgjodhi nënkryetaren e tij nga radhët e PDK-së, Vlora Çitakun, dhe caktoi anëtarët e komisioneve parlamentare.

Nisma e PDK-së për ndryshime në ligjin për Specialen
Miratimi i deklaratës për Specialen u bë në kohën kur PDK-ja po propozon ndryshime në projektligjin e atyre që zyrtarisht njihen si Dhomat e Specializuara të Kosovës, pas dënimit me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit.

Projektligji i PDK-së, i propozuar javën e kaluar, kërkon që juridiksioni i Gjykatës Speciale të kufizohet te veprat penale të përmendura në një raport të vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili trajtonte, ndër të tjera, pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë.

Ai parasheh ndryshimin e periudhës kohore që mbulon Specialja: nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, në periudhën nga 1 korriku i vitit 1999 deri në dhjetorin e vitit 2000. PDK-ja propozon, gjithashtu, që ndëshkimi maksimal që do të mund ta shqiptonte Gjykata të jetë 15 vjet burgim.

 

Projektligji parasheh edhe që dënimet të ekzekutohen në Kosovë, dhe që personat e dënuar të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale. Mbështetje kësaj nisme i ka dhënë Aleanca, teksa LVV në pushtet tha se do të shqyrtojë fillimisht në aspektin juridik, ndërsa LDK ende nuk ka një qëndrim zyrtar për këtë. Më 16 shtator, Specialja dënoi me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 vjet burgim Rexhep Selimin. Pas shqiptimit të dënimit ndaj ish-eprorëve të UÇK-së në Hagë, u organizuan protesta për çdo natë në Prishtinë në kundërshtim të aktgjykimit.

Rezolutat e mëparshme
Në shkurt 2026, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë që u kërkon Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë të garantojnë gjykim të drejtë dhe të paanshëm, në përputhje me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare dhe duke respektuar të drejtat e të akuzuarve.

Rezoluta kërkonte gjithashtu transparencë dhe llogaridhënie, ndërsa konfirmoi zotimin e Kosovës për mbështetjen financiare të mbrojtjes së të akuzuarve.

Po ashtu edhe në vitin 2016, Kuvendi i Kosovës miratoi Rezolutën për vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përmes së cilës shprehu qëndrimin se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe se vlerat e saj duhet të ruhen e të mbrohen. Përmes kësaj rezolute Kuvendi i Kosovës u kishte propozuar institucioneve kompetente që, në përputhje me ligjin për dhënien e dekoratave, t’i dekoronin për merita të veçanta komandantët dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rezolutat e miratuara në Kuvend pasqyrojnë qëndrim dhe vullnet politik për një çështje, por pa një detyrim ligjor.

 

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

12°c

KËMBIMI EURO

91.90

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Tek parku Rinia, një tjetër kullë që rivret qytetin

Lubonja: “Mund të konsiderohet si kulm në kuptimin e shkatërrimit urbanistik të qytetit, që përkon edhe me një kulm në kuptimin psikologjik të delirit të omnipotencës së Edi Ramës, me një kulm të babëzisë së oligarkëve që do të përfshihen aty dhe me një kulm të paturpësisë para qytetarëve të Tiranës të arkitektëve të Albanian Files,”

11:25 Blerina Gjoka

Me sytë katër

PAPARAZZI