
Një kërcënim me bombë ka alarmuar mëngjesin e sotëm disa institucione në qytete të ndryshme të vendit. Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, në adresat elektronike të disa institucioneve është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar, me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste. Në mesazh pretendohej se në ambientet e institucioneve ishte vendosur një bombë.
“Përshëndetje. Ky është Shteti Islamik. Me vullnetin e Allahut kemi vendosur një bombë në ndërtesën tuaj. Ajo do të shpërthejë pas dy orësh. Pas kësaj, ju të pafe do të copëtoheni. Pastaj do t’ju vrasim. Allahu Akbar”, thuhej në e-mailin drejtuar institucioneve.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, strukturat e Policisë së Shtetit nisën verifikimet në institucionet e përfshira në kërcënim. Nga kontrollet e kryera deri tani, nuk ka rezultuar të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.
Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, vijon punën për identifikimin e autorit dhe të adresës elektronike nga e cila janë dërguar kërcënimet.