
Një tornado e dyfishtë goditi të premten, më 9 tetor, bregdetin pranë Marsalës, në Siçilinë perëndimore të Italisë, duke shkaktuar dëme të shumta në ndërtesa, automjete dhe toka bujqësore.
Fenomeni ekstrem u formua mbi det, pranë portit të Marsalës, përpara se dy kolonat e ajrit të lëviznin drejt tokës dhe zonës së Trapanit.
Si pasojë e motit të keq, shkolla “Alcide De Gasperi”, në lagjen Terrenove, pësoi dëme të rënda. Ndërkohë, në Petrosino, një automjet u godit nga tornadoja dhe përfundoi në një përrua.
Dy personat që ndodheshin brenda makinës mbetën të plagosur dhe u transportuan në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Pamjet e regjistruara në bregdetin e Biscione, në Petrosino, pranë Sibilianës, tregojnë momentin kur tornadoja afrohet nga deti drejt tokës.
Fenomeni ekstrem la pas dëme në zonën bregdetare, ndërsa shërbimet e emergjencës ndërhynë për t'u përballur me pasojat.