
Një 30-vjeçar shqiptar është arrestuar në Trento të Italisë, pasi tentoi të përplasë dy karabinierë me automjetin e tij për t’iu shmangur kontrollit policor. Gjykata ka konfirmuar arrestimin dhe ka caktuar ndaj tij masën e arrestit shtëpiak, nën akuzën e rezistencës së rënduar ndaj një zyrtari publik.
Ngjarja ndodhi të mërkurën në mbrëmje, pas një konflikti të ashpër mes 30-vjeçarit dhe bashkëshortes së tij për çështje që lidhen me kujdesin ndaj fëmijës. Pak para mesnatës, teksa po kthehej në banesë shqiptari u përball me një patrullë karabinierësh që ndodhej pranë shtëpisë së tij për një tjetër operacion.
Ai dyshoi se efektivët kishin mbërritur pas një denoncimi nga bashkëshortja dhe reagoi në mënyrë agresive. Mediat italiane shkruajnë se shqiptari ishte denoncuar nga bashkëshortja në ditët e mëparshme, pas konflikteve të përsëritura familjar.
Gjatë kontrollit, karabinierët konstatuan se targa e automjetit ishte e mbuluar. Gjithashtu, atij iu gjet një dokument identiteti elektronik me mikroçip të falsifikuar, si dhe një shkop. Në përpjekje për t’u larguar, ai tentoi t’i përplasë efektivët me makinë dy herë, por ata arritën t’i shmangeshin automjetit. Sipas vendimit të gjykatës, sjellja e tij ishte pranë kufirit të tentativës së vrasjes.