
Ervin Salianji ka deklaruar se do të ndërmarrë hapa institucionalë për të garuar për drejtimin e Partisë Demokratike, duke theksuar se këtë herë do ta ndjekë procesin deri në fund, përfshirë edhe rrugën gjyqësore.
Në një intervistë në emisionin “Prime News24” në News24, Salianji u shpreh se në përpjekjen e mëparshme ishte tërhequr për të shmangur akuzat se po pengonte partinë, ndërsa tani synon të kërkojë të drejtën e tij përmes institucioneve.
Salianji theksoi se kandidimi i tij për kryetar të PD-së mbetet një synim i qartë dhe se kërkon që procesi të zhvillohet në kushte konkurrence.
Ai iu drejtua gjithashtu Sali Berishës dhe faktorëve të tjerë të opozitës, duke kërkuar një qëndrim të qartë për rolin që duhet të ketë në Partinë Demokratike deri në zgjedhjet lokale.
Gjatë intervistës, ai ngriti edhe pikëpyetje për qëndrimin e opozitës ndaj çështjeve që lidhen me ndërtimin e kullave në Tiranë. Salianji përmendi kullën pranë Pallatit të Kongreseve, duke e krahasuar me çështjen e kullës në zonën e Tajvanit.
Sipas tij, mungesa e reagimit për këto çështje ngre pikëpyetje mbi përgjegjësinë e aktorëve politikë.
“Unë do bëj përpjekje, për shkak se këtë herë nuk e bëra që të mos thonin e mban peng. Unë këtë herë do i drejtohem institucioneve dhe do të hyj në garë edhe me gjyq siç nuk e bëra. Do jem në dispozicion, do jem në garë për PD dhe këtë herë do të jem me të gjitha institucionet deri në fund. E kam bërë pauzë dhe po e them, Sali Berishës dhe çdo faktori tjetër opozitar.
Në garë për kryetar partie. Po them nëse deri në zgjedhjet lokale që të shmang të gjithë këtë narrativën që më thoni, të më thotë Berisha çfarë duhet të bëj unë? Unë ka marr zonë konkrete dhe e fitoj. Por unë kam dyshimet e mia dhe e kam thënë flitet për kullën te Tajvani, por përse Sali Berisha nuk flet për kullën te Pallati i Kongreseve. Është bashkë-vjedhje kjo, Përgjegjësinë e kanë të dy palët që nuk flasin”, - tha ai. /BW