
Vizion Plus ka publikuar një video kur familja Zenellari nga Elbasani ka ndjekur disa persona që dyshohet se u grabitën rreth 3 milionë lekë të vjetra dhe 4 telefona celularë.
Ngjarja ndodhi në lagjen “5 Maji”, në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne.
Kryefamiljari Lorenc Zenellari rrëfeu se grabitja zgjati rreth 15-20 minuta dhe se autorët e pyetën vazhdimisht për paratë.
Zenellari nënvizon se gjatë ngjarjes të maskuarit kanë kërcënuar familjarët dhe kanë goditur me armë nipin e të zotit të shtëpisë.
Policia mbërriti në vendin e ngjarhjes, por autorët u larguan duke braktisur një makinë.
"Në lagjen “5 Maji”, shtetasi L. Z. ka njoftuar se rreth orës 04:05 të mëngjesit, disa persona të paidentifikuar janë futur në banesën e tij dhe, nën kërcënimin e armës së zjarrit, i kanë marrë 4 telefona celularë dhe një shumë parash.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje. Sapo kanë konstatuar praninë e shërbimeve të Policisë, personat janë larguar në drejtim të zonës kodrinore, duke përfituar nga errësira, dhe kanë braktisur automjetet. Vijon ndjekja për kapjen e tyre.
Në vijim të veprimeve, janë gjetur dhe sekuestruar 2 automjete, të dyshuara se janë përdorur gjatë ngjarjes, veshje të ngjashme me uniformat e Policisë dhe prova të tjera që do t’i shërbejnë grupit hetimor për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.
Po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në ngjarje" - thuhet në njoftimin e policisë. /LAPSI.al