Flash

Shqipëria, një “fshat i madh”, vetëm 6 bashki klasifikohen si “qytet”

Lapsi.al 1 September 2026

Kamza është bashkia më e urbanizuar në Shqipëri, me 99% të popullsisë që jeton në vendbanime të klasifikuara si urbane, ndërsa Tirana renditet e dyta me 93,2% dhe Durrësi e treta me 84,5%. Në skajin tjetër, një pjesë e madhe e bashkive rezultojnë pa një bërthamë urbane që plotëson kriteret ndërkombëtare të klasifikimit me rreth 5 mijë banorë

Renditja del nga Raporti Përfundimtar për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0, i cili përdor metodologjinë DEGURBA dhe të dhënat e Censit 2023 për të matur strukturën reale të vendbanimit në secilën bashki.

Pas Kamzës, Tiranës dhe Durrësit, normat më të larta të urbanizimit regjistrohen në Vlorë, me 81%, Sarandë, me 78,6%, Gjirokastër, me 76,4%, Korçë, me 76,1% dhe Shkodër, me 74,2%.

Edhe Berati, Kuçova dhe Elbasani kanë mbi 70% të popullsisë në vendbanime urbane, ndërsa Vora arrin 64%, Shijaku 62,6% dhe Pogradeci 59,1%.

Tabloja ndryshon ndjeshëm në pjesën tjetër të territorit. Një grup i madh bashkish ka norma shumë të ulëta ose zero urbanizimi.

Mes tyre janë Himara, Përmeti, Tepelena, Delvina, Konispoli, Selenica, Divjaka, Mirdita, Puka, Fushë-Arrëza, Tropoja dhe Hasi, pasi qendrat administrative nuk e kanë një popullsi bërthamë 5 mijë banorë. Raporti shpjegon se norma zero nuk do të thotë se bashkia nuk ka një qendër administrative apo vendbanime të njohura si qytete në kuptimin tradicional.

Rasti më ilustrues është Himara. Pavarësisht profilit të saj të fortë turistik dhe bregdetar, vendbanimet nuk formojnë një grupim të lidhur me mbi 5 mijë banorë sipas pragut të metodologjisë, ndaj norma e urbanizimit rezulton 0%.

Të dhënat nxjerrin në pah polarizimin e fortë territorial të Shqipërisë, ku nga njëra anë qëndron kryeqyteti, korridori metropolitan dhe disa qendra rajonale të konsoliduara, nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e bashkive funksionojnë si territore me shumë vendbanime të vogla e të shpërndara dhe pa një bërthamë urbane dominuese.

Raporti vlerëson se vetëm 6 bashki klasifikohen kryesisht si “qytet”, 13 si “qytezë dhe periferi”, ndërsa 42 bashki, rreth dy të tretat e sistemit vendor, kanë karakter mbizotërues rural.

Kjo ndarje ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në organizimin e shërbimeve publike. Në bashkitë me popullsi të shpërndarë, distancat, infrastruktura dhe kostot fikse e bëjnë më të kushtueshëm ofrimin e shërbimeve për banor, ndërsa qendrat më të urbanizuara përballen me presion më të madh mbi transportin, strehimin dhe infrastrukturën./ Monitor

Burimi: Ministria e Financave

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

9°c

KËMBIMI EURO

91.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI