
Aktori dhe komediani britanik Russell Brand thuhet se po kalon momente të vështira në burgun Wandsworth në Londër, ku të burgosurit e tjerë e kanë kthyer në objekt talljeje pas dënimit për përdhunim dhe sulme seksuale.
Sipas raportimeve të mediave britanike, Brand po përballet me thirrje fyese dhe tallje të vazhdueshme nga qindra të burgosur të tjerë, të cilët kanë krijuar edhe një thirrje ofenduese që lidhet me emrin e tij dhe akuzat për të cilat u shpall fajtor.
Burime të cituara nga gazeta “Daily Mail” bëjnë me dije se situata ka ndikuar në gjendjen e tij emocionale, ndërsa aktori thuhet se qëndron pjesën më të madhe të kohës në qeli dhe del kryesisht për të marrë ushqimin.
“Fundjavat në burgun Wandsworth mund të jenë të mërzitshme për shkak të mungesës së stafit dhe kohës së kufizuar jashtë qelive. Të burgosurit kanë gjetur mënyrën e tyre për t'u argëtuar, duke e bërë Brand objekt të talljeve”, citohet të ketë thënë një burim për gazetën.
Sipas të njëjtit raportim, qindra të burgosur janë përfshirë në këto thirrje, ndërsa deri më tani bëhet fjalë për abuzim verbal dhe jo për sulme fizike.
Russell Brand ndodhet në burgun Wandsworth, një institucion që prej kohësh është kritikuar për mbipopullimin dhe kushtet e vështira të jetesës.
Sipas një raporti të inspektorëve të burgjeve, institucioni kishte 1,457 të burgosur, megjithëse kapaciteti i tij normal ishte 894 persona.
Raporti evidentonte gjithashtu probleme me higjienën, praninë e parazitëve, mungesën e ajrosjes dhe kushtet e papërshtatshme në qeli. Në disa raste, të burgosurit qëndronin deri në 22 orë në ditë brenda qelive.
Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave britanike, Brand thuhet se është zhvendosur në një sektor për të burgosurit që konsiderohen më të cenueshëm, për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tij.
Komediani 51-vjeçar u shpall fajtor për një akuzë përdhunimi dhe tri akuza për sulme seksuale, pas një procesi gjyqësor në Londër.
Megjithatë, ai u shpall i pafajshëm për disa akuza të tjera të ngritura ndaj tij. Gjatë procesit gjyqësor, Brand mohoi akuzat dhe u deklarua i pafajshëm.
Seanca për përcaktimin e dënimit të tij pritet të zhvillohet më 9 nëntor në Gjykatën e Southwark në Londër.