
Reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë qarkun e Kukësit që prej pasdites së djeshme, duke sjellë probleme në disa akse rrugore. Gjatë natës, intensiteti i reshjeve është shtuar dhe në disa segmente janë regjistruar rënie gurësh dhe materialesh inerte. Probleme janë evidentuar në akset drejt Valbonës, Fierzë–Bajram Curri, Qafë Morinë, Kam–Krumë, Kukës–Qafë Mali, si dhe në rrugët drejt Shishtavecit dhe Bushtricës.
Mjegulla ka vështirësuar gjithashtu qarkullimin në qytetin e Kukësit. Që prej orëve të para të mëngjesit, ekipet e mirëmbajtjes po punojnë për pastrimin e rrugëve dhe normalizimin e qarkullimit. Drejtuesve të mjeteve u kërkohet të tregojnë kujdes të shtuar, ndërsa moti i paqëndrueshëm pritet të vijojë edhe gjatë fundjavës.