
Tensionet janë rritur para Kryeministrisë, pasi disa protestues kanë rrëzuar një dron të përdorur nga efektivët për monitorimin e protestës. Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe ujë me solucion irritues, ndërsa përmes megafonëve u ka kërkuar protestuesve të ndalojnë veprimet e dhunshme dhe të largohen nga perimetri i godinës.
Ndërkohë, prania policore është përforcuar. Autobotë me ujë janë pozicionuar në të dy krahët e zonës përpara Kryeministrisë, të shoqëruar nga forca të shumta policie. Pas rrëzimit të dronit, ndërhyrja është intensifikuar. Situata vijon të mbetet e tensionuar, ndërsa protestuesit qëndrojnë ende pranë Kryeministrisë.