
Kanë kaluar katër muaj nga tërmeti shkatërrues që goditi Venezuelën dhe i mori Lucas Trejos familjen, pas shembjes së pallatit ku ata jetonin. Futbollisti humbi bashkëshorten e tij, Yanina Maranella, dhe dy fëmijët e vegjël, Aaron dhe Ainhoa, të cilët kishin mbetur në shtëpi, ndërsa ai ndodhej në transfertë me Maritimo La Guaira. Lojtari gërmoi për tri ditë mes rrënojave për t'i gjetur, përpara se të merrte lajmin tragjik që i ndryshoi jetën përgjithmonë.
Ai mbeti i vetëm dhe iu desh të merrte qetësues për të përballuar dhimbjen. Në ndihmë i erdhën dy persona nga të cilët nuk do ta kishte pritur kurrë një gjest të tillë. Në një intervistë për Radio La Red, ai tregoi se ishin Leo Messi dhe bashkëshortja e tij, Antonela Roccuzzo, ata që i dhuruan gjithçka që i nevojitej për të nisur nga e para pas humbjes, duke e mbështetur në periudhën më të vështirë të jetës së tij.
Lucas Trejo rrëfen gjestin e Messit
Familja e argjentinasit ndodhej në zonën më të goditur nga tërmeti në Venezuelë, kur pallati ku banonte u shemb. Futbollisti ishte në transfertë dhe u kthye menjëherë për t'i kërkuar të afërmit e tij. Për tri ditë gërmoi i dëshpëruar mes rrënojave, përpara se të gjente trupat e tyre të pajetë. Një lajm shkatërrues për të.
Në ato momente, Antonela Roccuzzo e kontaktoi për t'i ofruar ndihmë përmes fondacionit të saj. “Kur ndodhi tërmeti, kalova tri ditë pranë një ndërtese, mes rrënojave, në një temperaturë prej 40 gradësh. Nuk kishte energji elektrike, gjithçka ishte shkatërruar dhe nuk kishte ushqim. Antonela ishte personi i parë që na ndihmoi. Na dërgoi gjithçka që nevojitej për të ngritur një kamp, në mënyrë që të mos na mungonin as ushqimi dhe as uji”.

Trejo humbi gruan dhe dy fëmijët e vegjël në tërmetin në Venezuelë
Pas vdekjes së familjes, Lucas Trejo u përball me një dhimbje të papërshkrueshme. Ai kishte humbur bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij të vegjël, ndërsa nuk kishte më as një shtëpi ku të mund të gjente strehim. Mbrojtësi tregoi se edhe Messi ndërhyri konkretisht për ta ndihmuar, duke i dhuruar një valixhe të mbushur me rroba dhe këpucë. “Guillermo Hoyos erdhi me dy valixhe me rroba. Njërën ma kishte dërguar stafi i Inter Miamit. Valixhen tjetër, me rrobat dhe këpucët e tij, ma dërgoi Leo Messi. Ai ma nisi në këtë periudhë shumë të vështirë, ndërkohë që po luante në Kupën e Botës”. Argjentinasi është kapur pas besimit fetar për të gjetur forcën dhe për të vazhduar jetën, i shënjuar përgjithmonë nga kjo tragjedi.